16.5.10

Shqipëria me "dy popuj"...

E nderuara, Julia,

Në poezinë tënde, mjafton vetëm metafora e tërmetit, që e trand dheun por më në fund ndalet, si dhe vargu:
Në vendin tim dridhet jeta e popullit me vite
për të merituar nderim ajo.

Sa tronditëse:
Në vendin tim dridhet jeta e popullit me vite

Nuk do të ndërmarr një koment për poezinë tënde, por nga ajo marr shkas për të shfryrë atë që më/na vlon brenda: mërinë dhe urrejtjen e thellë për këtë shpurë bashibozukësh, që popullit shqiptar i kanë rënë në hise për politikanë. Dështimet dhe humbjet e tyre në pazare të ndyra gjithfarësh kërkojnë, secila palë, t'ua servirë popullit si humbjet dhe dështimet e tij. Secila palë ka popullin e vet, se e kanë ndarë më dysh, të mjerin. Janë bërë artificialisht DY popuj shqiptarë - njëri i kuq e tjetri blu. Njëri popull punon, tjetri del në sheshet e protestave. Një herë populli i kuq, një herë populli blu. Secili ka sheshin e tij të protestës. Secili militant ka vendin e tij në rreshtat e protestës, mbase edhe numrin (si të burgosurit) dhe e di symbyllur se ku do të rreshtohet në rast alarmi. Sa jep alarmin partia e tij momë, ai ngrihet dhe, në brekë a në pizhama, rreshtohet aty ku e thërret atë-dheu, dmth parti-dheu. Dhe ulurin e sokëllin. Për të drejtat e humbura, për lirinë e shkelur, për votat e vjedhura... Pa e ditur se ç'është vota, pa e ditur se ç'është liria, pa e ditur se ç'është demokracia. Kush ia mësoi këto vlera në këto 20 vite?! I mësuan vetëm të hidhet e të përfytet për vlerat, por jo se ç'janë në të vërtetë vlerat. Ah, po, me politikën e tyre të djallëzuar, i mësuan se po nuk luftove për NE, që ne të marrim pushtetin, ti dhe jot shoqe nuk do të punoni, nuk keni bukë. Se, po të fitojmë NE, gruaja jote do të punojë në vendin e gruas së atij tjetrit, që është me bindje të tjera, pra do ta heqim nga puna gruan e kundërshtarit tonë dhe në vend të saj do punojë gruaja jote. Dhe i thanë: mbaje mend, ajo do të punojë atje për aq kohë sa ne do të jemi në pushtet, sepse po fituan ATA, do ta heqin nga puna gruan tënde dhe vendin do ia marrë prapë gruaja e atij tjetrit, që është kundër nesh. Kurse ti, i thanë, nuk duhet të punosh, na duhesh për greva e manifestime, që të ruash pushtetin tonë, që të ruash vendin e punës të gruas tënde. Dhe i dhanë një numër e i mësuan vendin e rreshtimit në armatën e manifestueve, blu apo e kuq qoftë.

Ja, këto vlera u mësuan popujve të tyre. Nuk u mësuan të sokëllijnë e të kërkojnë ujë, bukë e dritë, as për çmimet tejet të larta, as kundër korrupsionit. .. Jo, u thanë, ju duhet të luftoni për vlerat, jo për gjëra të rëndomta si uji, drita e buka.

Sa për mrekullitë, këtu, Julia, nuk i bën Zoti, por dy emra. Po deri më sot mrekullia ende nuk ka ndodhur, mrekullia që të shporren nga jeta e këtij populli, kjo duhet të ndodhë.

I nxitur nga retorika e Muratit do të kujtoja një film të hershëm mbi jetën e një revolucionari të botës latine, mbase argjentinas, i cili kur luftonte emri i tij ishte gjithnjë i rrethuar me të kuq, por kur u bë president i vendit të tij, nisi ai t'i rrethojë me të kuq emrat e kundrshtarëve të vet. Zampata i famshëm, shemdbulli i të cilit vlen ende për ne.

dilaver baxhaku