2.11.08


Pse "Pushkin"?..

Kur u njohëm me pjesëtarët e shoqatës poetike "Pushkin" në Shkup, i pyetëm ata lirshëm, vetëm për të mësuar shkakun e kësaj zgjedhjeje: "pse Pushkin?". Drejtuesi i shoqatës, zoti Bujar Ganija, na tha se ky emërtim rrodhi ngase vetë ai, nismëtar i saj, ishte admirues i flaktë i poetit të madh, dhe shtoi se shoqata e tyre ishte e hapur për ata krijues që e pëlqenin këtë poet. Pjesëtari i grupit tonë vizitor, poeti Kolec Traboini, i tha me shaka, se a mundej ai të bëhej pjesëtar në atë grupim poetik kur dashuronte, jo Pushkinin, por Eseninin?.. Bujari u duk sikur u zu ngushtë, por gjithsesi iu përgjigj: 'Mirë se të vish, edhe pse do të 'grindemi', pasiqë unë dua më shumë Pushkinin'... Ky fjalëndërrim miqësor na shoqëroi gjatë kohës që ishim me pritësit e nderuar të shoqatës; zotin Bujar e mbiquajtëm "Pushkin", ndërsa Traboinin, për baraspeshim, e thërrisnim "Esenin". Por shakaja nuk shkoi pa lënë "shenjë", sepse e kishte kapur edhe zonjusha Valbona Zunçe, gazetare, e cila ndjehet, edhe ajo, 'mëkatare', si pjesëtare e kësaj shoqate. Në bisedën radiofonike direkt që po bënim të nesërmen në valën 'Mikrofoni i hapur' të RadioShkupit, në një çast, si papritur, me shkathtësi gazetareske, ajo iu drejtua Traboinit: "Juve mbaheni si i pasionuar pas poetit rus Esenin; pse kjo dashuri?". Koleci, që u gjend ca i befasuar nga kjo pyetje nxitëse, iu përgjigj se Eseninin e donte si poet, jo si "poet rus", pasi, sipas meje, vijoi Traboini, poetët nuk kanë kombësi, ata i përkasin të gjithë njerëzimit. Megjithatë, kombësia e tij nuk më pengon aspak.

dilaver baxhaku

18.5.08








Dilaver Baxhaku

Tregim
(sprovë e kahershme)

SHUSHURIMË


Derën e zyrës e lija gjysmëhapur; ç’ta mbyllja kot, kur orë e çast trokisnin aty vajza e djem të rinj, që sillnin vjershat e rrëfimet e tyre. Kështu, së paku, nuk isha i shtrënguar të përgjigjesha njëqind herë në ditë “hyr, hyr”...
Ndjeva trokitjen e derës dhe ngrita sytë. Në prag qëndronte një grua e re. “Urdhëroni” i thashë duke e shikuar në mënyrë paksa të paturpshme: ishte fort e pashme. Ajo kapërceu pragun. Ishte shumë e re për ta quajtur grua, por po të gjykoje nga fëmija që mbante përdore... një vogëlushe e këndshme, me një fustan në bojë qielli të lehtë, që shtrëngonte një lodër në dorë. “Eee, nuk e lëshon nga duart” tha gruaja, kur vuri re sytë e mi mbi lodrën e fëmijës. Vogëlushja e kuptoi se flitej për të, pse e shtrëngoi lodrën fort në gjoks, në anën e zemrës. Ishte një rosë e bardhë në gri, sqepverdhë, prej pelushi. Vogëlushja e shtypi pak aty në gjoks dhe rosa lëshoi një “mak-mak”. Gruaje re u zu ngushtë, ia shkundi pak dorën së bijës, duke i thënë nën zë se këto gjëra nuk bëhen këtu. Unë i buzëqesha me mirëkuptim së voglës dhe gjithçka u rregullua, u morëm vesh në mes nesh, të tre. Pastaj u pamë një çast sy më sy me gruan e re. Kaq pak m’u desh për të menduar se... se diku do ta kisha parë. Por, ah kjo puna jonë, gjithnjë na duket se njerëzit që na shfaqen para syve i kemi parë a i kemi njohur dikur, se kemi folur apo kemi pirë kafe me ta. Ndjesi profesionale. Gruaja ishte stepur aty në prag të derës, ndjehej si në zgrip, me një këmbë brenda e me tjetrën jashtë.
“Urdhëroni”, e nxita unë me një buzëqeshje të lehtë, për t’ia hequr mëdyshjen që e kishte ngërçur.
“Më falni, duket se kam gabuar zyrën”,- tha ajo.
“Keni sjellë vjersha?”,- e pyeta kur pashë se mbante një tufë letrash të bardha në dorë.
“Vjersha?.. Jo, jo... desha redaktorin e letërsisë, por një herë tjetër,- dhe bëri të dalë.
“Unë jam,- i thashë.- Po të keni sjellë gjë...”.
Gruaja e re u ndie ngushtë. U lëkund pak si një varkë e ogël letre në ujin e legenit dhe, si e pa se s'kishte nga t'ia mbante, bëri një hap drejt tavolinës sime të madhe dhe la aty mbi pirgun e letrave fletët e bardha të mbledhura tub, që i mbante në dorë. I la ashtu vetëtimthi dhe iku sakaq, duke e marrë rrëmbyeshëm vogëlushen në krahë. Aq rrëmbyeshëm iku, sa nuk e vuri re lodrën që i ra së bijës nga dora. Dera e rëndë e zyrës u mbyll ngadalë pas saj. Në zyrë mbeti afshi i trupit të gruas së re dhe fustani bojë qielli i vogëlushes.
Kisha ngrirë me sytë nga dera, me pyetjen të pikur në buzë se ku do ta kisha parë atë grua...
Mora letrat e bardha tubë mbi tavolinë dhe nisi t’i hap. Nuk kishte vjersha; në krye të faqes së parë lexova titullin, "SHUSHURIMË" të shkruar me germa kapitale, pastaj vijonte tregimi i shtypur me makinë:



Nesër do të zgjohem herët. Është e hënë. Ka ardhë pranvera dhe dielli lind shpejt. Do të fshi petalet e kumbullës nën parvaz. Do të nxjerr Bardhën e do t’i mbush koritën me ujë. Ajo do të hapë krahët e do të shkundë pendët e plumbta. Pastaj do t’i bien pupla të bardha, të buta. Kumbulla do të hedhë përsëri petale. Nesër...

O, është ende natë. Qielli është i plumbtë, si kurrizi i Bardhës.

Nesër është e hënë. Do të shkoj herët në shkollë. Shoqet do më gjejnë te shkallët. Është java e dytë e pranverës. Po kumbulla sivjet çeli më shpejt. Edhe Bardha del më herët nga qymezi. Eh, kjo pranvera s’di kur vjen! Sivjet erdhi shpejt. Apo s’iku fare? Jo, jo. Mu para ca ditësh ishte tamam si vjeshtë. Edhe mua vetëm pak ditë që s’më thonë më “flokëvjeshtë”. Më thoshin të gjithë. Sa më pëlqente! Edhe ai...

Ku është tashti?..

Ku je tashti? Atëherë nuk njiheshim, vetëm jot motër më thoshte gjithnjë: “... kam një vëlla, kam një vëlla”. Po unë s’të kisha parë ndonjëherë. Vetëm atë natë. Të kujtohet? Unë erdha te ju në buzëmbrëmje. Ti ishe në dhomë. Ishte dimër, dimri që shkoi. Bënte ftohtë dhe kisha veshur pallton. Kur u futa në dhomë, e hoqa. Ti atëherë më pe. Më pe gjatë. Pse më shikoje ashtu? A shikohet kot një vajzë? Jo. Unë s’u ula menjëherë. Rrija ashtu më këmbë; seç më pëlqente të më shikoje sa më gjatë. Ti m’i kishe hedhur sytë si i hutuar. Nuk them, këto ishin vetëm pak çaste, po mua m’u dukën sa të gjata. Atëherë, Ela, jot motër, të foli me sy: “ç’bën ashtu?” të tha. Atëherë ti u kujtove dhe më përshëndete. Unë vura pak buzën më të qeshur dhe u ula. Ti më pe përsëri. Unë atëherë i hoqa sytë e s’dija ku t’i çoja. Ndjeva se më qenë ndezur faqet. U përcolla pak. Ti buzëqeshe, m’u duk sikur doje të luaje me mua. Unë mund të zemërohesha me ty; ç’ishin ato shikime ashtu? Po ti qe i mirë. Pse ta fsheh?.. më pëlqeu që më bëre të skuqem. Kështu do të të mbeteshin më shumë sytë tek unë.

Nuk të tha gjë motra? Kur dole ti, ajo më përqafoi e më puthi. Unë u ndjeva e kënaqur, e lumtur. Pse më përqafoi ajo? Dhe më puthi? Këto kuptohen lehtë: ishte motra jote dhe duket se i pëlqeu që ti më kishe parë ashtu. Edhe mua më pëlqeu shumë. Më pëlqeu edhe vetja atë natë. E di?.. atë çast shkova përpara pasqyrës. Dukesha gjithajo vajzë. Flokët më binin në supe si një vjeshtë e vogël. S’e kishin pasur kot që më thoshin “flokëvjeshtë, flokëvjeshtë”. Sa po më pëlqente vetja atë çast. Po të kisha qenë djalë, thosha, nuk do ta kisha lënë këtë flokëvjeshtën të më ikte nga duart.

Ti do të ikje të nesërmen. Ishte si sonte, e diel. Nesër e hënë. Iknin studentët. Unë erdha përsëri atë natë te ju. Po ti ishe aty; s’kishe ikur. Pse s’ike? Gjithsesi unë e dija që s’kishe ikur, ma kishte thënë Ela, motra jote, ashtu koti, në shkollë. Pse s’ike? Brenda vetes mendoja se qëndrove prej meje. Më pëlqente të besoja kështu.

O, bën nxehtë.

Pastaj dolëm. Ishim bashkë, ne të dy dhe motra jote, Ela. Ti më shikoje me ngulm. Veç më shikoje. Për një çast, jot motër mbeti pas. Do të ngrinte çorapin e dreqit. Ne vazhdonim të ecnim vetëm, pa të.
“Sa vjeç je?”- më pyete papritur.
S’dija sa të thosha. Ç’moshë kanë vajzat në vitin e fundit të gjimnazit? Ooo, ç’pyetje! Ti më shikoje në sy dhe prisje vjeçët e mi.
“Shtatëmbëdhjetë”.
“O, po ti dukesh fare e vogël”- dhe qeshe.
“S’po vjen motra” thashë unë dhe ndjeva se isha skuqur. Ah dhe kjo skuqja.
Motra kishte mbetur prapa, kishte punë me çorapet. Unë nisa të eci më shpejt. Sikur nuk kisha qejf të na mbërrinte ajo. Ti më ishe në krah. Më pëlqente që më ishe në krah. E ndjeja se dhe ty të pëlqente. Ti preke pak supin tim. Unë isha nën pallto, por e ndjeva prekjen tënde. Mbase nuk ishte as prekje, po mua m’u duk se më preke. Ose po mendoje të më prekje. Vajzat i ndjejnë përnjëherë këto gjëra.

O, sa nxehtë!

Pastaj fole për vajzat. Fole hareshëm për to. Aq të pëlqejnë vajzat? Unë s’dija se ç’të thosha. S’kisha folur kurrë kështu me djemtë. Në shkollë çuçurisim vetëm në mes gocash. Po me ty më pëlqente. Si të thashë? Të kujtohet?
“Ka shumë vajza atje në fakultet?”.
“Shumë”.
“Janë të bukura?”.
“Jo”.
“S’janë të bukura?!”.
“Ka edhe të bukura, por jo të gjitha. Nuk janë të gjitha të bukura”.
“Po ato që s’janë të bukura?”.
“Janë... të mira. Vajzat janë të gjitha të mira”.

Si të jesh, e bukur apo e mirë? E bukur. Jo, e mirë. Po unë si jam?

Ooo, sa nxehtë. Është ende natë. Edhe sa do që të zbardhë? Ora është në dhomën e mamit. Të vete ta shoh? Jo, jo. Po sa është? Si s’po vjen dhe ky mëngjesi!

Po unë si jam?

Pastaj ti qëndrove disa ditë. Ishin pushimet e dimrit. Edhe ne kishim pushimet tona të dimrit. Vija përditë te ju. Rrija deri në buzëmbrëmje. Rrinim bashkë mbi divan dhe përkëdhelnim Kotilën e vogël me qime të buta. Ajo gërhinte e kënaqur dhe e zinte gjumi. Pastaj ti m’i merrje duart e m’i hiqje ngadalë nga kurrizi i butë i Kotilës. S’e di sa m’i mbaje duart ashtu. Unë i mbaja sytë përgjysmë të mbyllur, si të kotur. Më digjeshin gishtërinjtë në pëllëmbët e tua. Edhe faqet i kisha valë. Ti pastaj çoheshe. “Mos e zgjo Kotilën” më porosisje si një fëmijë. Unë zgjohesha nga ëndrrat e mia. Duart më ftoheshin ngadalë. Më ftohej dhe trupi.

Të kujtohen ditët e fundvitit?

Po vinte Viti i Ri. Dilnim bashkë me tët motër dhe mbushnim çantat me ushqime, me fruta. Ndonjëherë sat motre i dilte ndonjë shkak dhe nuk vinte me ne. Mirë, le të mos vinte. Një ditë na panë shoqet e klasës. Kisha ditë që nuk isha parë me to. Vit për vit ndërronim vizita pushimeve të dimrit. Sivjet jo. Gati i kisha harruar. Më buzëqeshën e më tundën kokat me qortim. Ah, ti! Unë u ndjeva e mikluar. Shoqet, s’do mend, e kuptuan se unë isha e lumtur; kukurisën njëra me tjetrën dhe kthyen prapë kokat të na shikonin. Derisa u larguan nëpër rrugën e mbuluar me pisha që e ndan qytetin mespërmes. Pastaj ne u ulëm në një pastiçeri. Ti rrije pak i menduar. Unë flisja me sytë e tu:
“Pse mendohesh?”.
“Kot”.
“Kot fare?”.
“Jo... por s’ta them dot”.
“Si nuk e thua dot? Ti je djalë, mund t’i thuash gjërat pa të keq”.
“Ashtu mendon ti?”.
“Po”.
“Po ti pse s’flet?”.
“Unë?.. Dua të flas, po...”.
Pastaj më zgjoi zëri yt:
-Pse mendohesh?
-Kot.
-Kot fare?
-..............
-Çfarë do të bësh kur të mbarosh gjimnazin?
-Edhe nuk e di.
-Të pëlqen të vish në universitet?
-Po.
-Do të vish, pra?

Pastaj unë vija shpesh e më shpesh te ju. Rrija me Elën, motrën tënde. Mësonim bashkë. Buzëmbrëmjeve kthehesha në shtëpi. Ky është një rregull për vajzat e vogla. Ooo, pse e vogël jam unë? Të shtunave, po, rrija më vonë. Atë ditë ti vije nga Tirana për fundjavë. Ishe përherë i qeshur, i gëzuar. Na tregoje për mbrëmjet e kryeqytetit. Na thoshe se qyteti i madh kishte edhe një qytet të vogël, në supet e një kodre, të bërë enkas për studentët. Pastaj na pyesje për mësimet dhe talleshe me hartimet tona, që i mbushnim gjithë lajle-lule, me fjalë të zgjedhura. Shkruani kështu, na thoshe, si t’u vijë, pa e dredhur fjalën. Se si kalonin orët. Unë bëja çmos të tregohesha e shkujdesur; shtiresha e qetë, sikur nuk e vija re praninë tënde. Por veten s’e gënjeja dot: mezi të kisha pritur. Dhe ndjehesha e trazuar. Kur afrohej buzëmbrëmja, bëja të ngrihesha dhe thosha se do të iki. Mezi e thosha, se zemra nuk më bënte të ikja. Ela më thoshte të rri dhe pak, nesër është e diel, nuk kemi shkollë, më thoshte. Jo, jo thosha unë gjithë mërzi, nuk mund të rri, dhe i hidhja sytë nga ti. Bëja për nga dera, gjoja e vendosur për të ikur. Ajo më luste e më zinte përkrahu dhe atëherë unë ulesha prapë në divan.

Edhe atë natë po kështu. Qeshëm me ty, kur na the se e kishe pasur pisk në provim. Morëm hak: vetëm ti të talleshe me hartimet tona? Pastaj, unë me Elën, si budallaçka të vogla, folëm e treguam të gjitha të fshehtat e shoqeve tona: Eva shikon një çun nga klasa tjetër; Vera bën sikur nuk e pëlqen Gentin; Mara vdes për profesorin e ri të anglishtes... Dhe kukurisnim. I morëm të gjitha shoqet nëpër gojë. Pastaj unë thashë se duhej të ikja. Motra jote prapë më tha të rrija dhe ca, por unë ngula këmbë. Doja aq shumë të rrija edhe ca, por ishte bërë vonë, kishte rënë nata. U ngrita dhe vesha pallton. U ngrite dhe ti, the se s’mund të më lije të ikja vetëm. Më përcolle në shtëpi. Të kujtohet? Unë sikur fluturoja, nuk dija se ku po shkoja. Ti flisje, vetëm flisje e më shikoje; sytë të binin pjerrtas mbi supin tim, mbi profilin tim. Edhe unë “flisja” me ty:
“Pse më shikon ashtu?”
“Dua”.
“Mirë, shikomë, më pëlqen”.
Pastaj fole për atë vajzën; si e kishte emrin?.. Më the se ka një bredh me degë ngjyrë plumbi te porta. S’ka si ai bredh në Tiranë, më the. Unë kujtova se ti e doje atë vajzën e bredhit me degë ngjyrë plumbi. Pra të thashë:
-Pse s’fejohesh?
Ti më pe me ngulm:
-Si të fejohem?
- Të fejohesh...
- Po me cilën të fejohem?
-Me vajzën e bredhit.
Ti qeshe fort.
-Atë e kam shoqe,- the,- vetëm shoqe.
-Atëherë... gjej një vajzë tjetër dhe fejohu.
Ti më pe me habi dhe qeshe prapë.
-Vajza nuk gjendet ashtu, duhet ta njohësh. Edhe ajo duhet të të njohë.
-Mirë, gjeje një vajzë, njihe, dashuroje dhe fejohu. Thuaji “të dua” dhe fap fejohu. Ajo patjetër do të të dojë.
-Pse “patjetër” do më dojë?
Unë u zura ngushtë; si i thashë ato fjalë ashtu, pa u menduar fare! Nuk dija si të dilja nga çarku ku e futa këmbën. Fola prapë si budallaçkë e vogël:
-Atë e di ajo.
-Aaa?! Po unë nuk duhet ta di?
-Mirë, mirë po... fejohu.
Zëri më dridhej si një tel.
-Po me cilën të fejohem?
Më kishe zënë ngushtë e nuk më lëshoje; më dukej vetja si një lepurush i strukur në një ferrë që kërkon të dalë e s’del dot. Ti ishe shqiponja. S’dija se ç’të thosha. Faqet më digjeshin. Ti nuk m’i preke faqet atë çast, se po të m’i kishe prekur do të të përcëlloheshin gishtat. S’flisja dot, frikohesha se do më dridhej fjala. Por zëri fliste aty brenda në zemrën time të vogël:
“Me cilën të fejohem?”, ngulmoje ti.
“Me...”.
“Hë, pra...”.

Fresku i buzëmbrëmjes m’i ftohte faqet e përcëlluara.

“E shikon?.. S’e thua dot”.
“Jo, prit, do ta them...”.
“Hë, pra”.
“Fejohu me mua!”.

O, Bardha po gugat në qymez. Po i shkund puplat e saj të plumbta. Rosa ime e mirë. Vetëm ca ditë më parë ishte sa një bibë e vogël; sot është rritur e është bërë gjithajo rosë. Thonë edhe për vajzat kështu, se rriten shpejt, si rosat. Po gdhinë dhe do të zgjohet Bardha, ajo zgjohet më herët këto ditë. Duket se e ndjen pranverën. Sapo zgjohet, do një koritë me ujë, të lahet e të shkundet mirë e mirë. He, i duket vetja tamam si një vajzë.

Pastaj rrugica ime. Ti gjithë rrugës kishe folur; kishe folur e sytë nuk m’i kishe ndarë, ato të binin pjerrtas mbi supin tim dhe seç më shponin në faqet prush. Unë e kisha ndjerë veten të dashuruar! Pastaj rrugica ime. Ti ndale. Unë të thashë shpejt e shpejt ”natën mirë” dhe bëra të iki. Ti nuk mu përgjigje. As nuk ike. Veç më pëshpërite:
-Rri pak.
-Po... do të shkoj.
-Mirë, po rri pak. Vetëm pak.
Rrije në këmbë i heshtur. Ku i humbe gjithë ato fjalë që kishe rrugës? Pse u bëre papritur ashtu i heshtur? Thonë se njerëzit, kur s’kanë fjalë, meditojnë. Flasin përbrenda, me mendjen, me zemrën. Ti rrije në këmbë i heshtur. Edhe unë po ashtu, kisha varur kokën e s’i ngrija dot sytë. Ti mbase më shikoje në flokë, në ballë, në faqe... po sytë nuk m’i shikoje, se i kisha përtokë. Nuk m’i pe se si më ishin përshkënditur. Sa qëndruam ashtu të heshtur? Pastaj unë papritur vrapova rrugicës për në shtëpi, pa të thënë më natën e mirë. Po ti, ike shpejt? Më s’të pashë, s’e ktheva kokën pas. Pse ika ashtu turravrap?

Atë natë nuk isha fare e qetë. Ti më rrije gjithnjë në sy. Ti nuk ishe aty pranë meje, natyrisht, po sepse më rrije në sy. Ashtu i heshtur e sikur doje të thoshe një fjalë. Ma vije dorën mbi flokë e ma afroje fytyrën ngadalë. Unë ndjeja frymën tënde që ma ngrohte ballin e m’i bënte faqet të më digjeshin prush, si në përcëllimë. Pak nga pak ndjeva të më ngrohte diçka në buzë. Po unë i largova buzët. Ato digjnin, sa nuk i duroja dot. Pastaj ti më përkëdhele mbi flokë. Unë u përpëlita:
“Jo, jo, do të shkoj!”.
Ti ma mbaje kokën lehtë në pëllëmbët e tua. Ma ofroje ballin; buzët m’u ngrohën prapë. Unë shkundesha si Bardha në koritë:
“Do të shkoj”.
“Prit dhe pak!”.
“Jo, do të shkoj tashti. U bë natë, më flet mamaja”.
“Mos gënje, nuk është aq natë”.
“Mirë, po do të shkoj”.
Sa dridhesha, edhe pse faqet dhe buzët i kisha zjarr. Thosha se do të ikja, po nuk ikja. Isha strukur në gjoksin tënd si një zog i vogël. Fryma jote më binte mbi flokë, në ballë dhe pastaj më ngrohte në buzë; po gjithsesi dridhesha.
“Rri dhe pak!”.
“Jo, jo. Ik, mos m’u afro ashtu, mos më shtrëngo. Më djegin buzët. Mos m’u afro. Edhe faqet më djegin. Digjem e gjitha. Shikoi duart. Preki pak. Hë, digjen? Edhe faqet kështu i kam. Edhe buzët”.
“Buzët?.. Dale”.
“Jo, jo. Ik. Mos më... Ik, pra, ik. Jo tashti”.
“Pse?”.
“Ti do të ikësh nesër. Kushedi kur vjen. Dhe unë do të mbetem me puthjen tënde në buzë”.
“Po kur?”.
“Ndonjë herë tjetër. Ik tashti, pse s’ikën?”.
“Po kur?”.
“Kur të... Ik tashti, se më digjen buzët. Edhe sytë më digjen zjarr. Ik, s’e shikon, po bie shi”.
“Shi?”.
“Po, ja ku i ndjej piklat e ujit që varen faqeve të mia. Ooo, janë të nxehta! Ik tashti!”.
“Po kur?”.
“Ndonjë herë tjetër”.
“Kur, pra? Hë, pse s’e thua? Je e vogël, prandaj”.
“Jo, s’jam e vogël”.

E pastaj... e pastaj s’mbaj mend se ç’u bë. Në mëngjes e kisha kokën plumb. Ah këto netët e pranverës!

Ooo, s’iku kjo natë! Qielli është ende i plumbtë. Kështu është qielli në pranverë, gjithë natën i plumbtë; pastaj në ag përnjëherë zë e zbardhet, si kurrizi i Bardhës, dhe fap ngjyhet me blu. Bëhet krejt i kaltër. Atëherë supet e Krastës janë përshkënditur gjithë dritë. Sa është ora?.. Të shkoj ta shoh te dhoma e mamit?.. Jo, jo, se është babi.
“Do të ikësh sot?”.
“Po, ti e di, është e hënë. Të hënave ikin studentët”.

Të vete ta shoh orën nga dhoma e mamit?.. Jo. Ja, edhe pak e babi do të ngrihet, do të shkojë në kuzhinë e do të rrëmojë në dollapë për të bërë kafen. Dhe, sa ngrihet babi, zbardh. Babi ngrihet gjithnjë në të zbardhur. Pastaj unë vete në dhomën e mamit, futem në krevat dhe shtrëngohem pas kurrizit të saj të ngrohtë. Ajo kthehet nga unë, më puth në ballë dhe më thotë: “Mirëmëngjesi, Bardha ime!”. Ajo më ledhaton me emrin e Bardhës, sepse e di që unë e dua fort rosën time pupëlbardhë.

“Do të ikësh sot?”.
“Po... Ta thashë njëherë”.
“Pse s’rri dhe një ditë? Ti rri, po të duash. Apo u zemërove mbrëmë? Ç’të bëja unë e shkreta? Unë nuk të thashë jo, por ti vetë rrije në këmbë i heshtur e i hutuar. Rri sot, mos ik. Unë do të vij pasdite nga ju, do të bëjmë mësimet me Elën. Pastaj unë do të ngrihem të dal. U bë vonë do them. Do të ketë rënë muzgu dhe ti do më përcjellësh si ngaherë. Pastaj, kur të mbërrijmë te rrugica ime, do të ndalemi... Ç’ke ti, nuk do të vrapoj si e trembur nëpër kalldrëm...”.
“Mos gënje”.
“Jo, të jap fjalën. Do të rrish, pra?”.
“Po ti do të ikësh shpejt, se do të të ndizen faqet. Kështu thua sa herë kur t’i afroj buzët e mia”.
“Jo, jo do të rri aty. Do të rri pa zë, me frymën tënde të ngrohtë mbi buzë.

O, ç’më thotë mëndja. Kjo ëndërr mëngjesore. Gjithnjë në ëndërr ti më rri me frymën tënde të ngrohtë mbi buzët e mia.

Sa nxehtë! Nuk mund të shkoj kështu në dhomën e mamit, nuk mund të futem me këtë zjarr në shtratin e saj. Ajo do të trembet, do të mendojë se jam e sëmurë.

“E di?.. ne tashti jemi të fejuar. E di këtë?.. Jo?.. E di, e di, se ta kam thënë. Ta kam thënë që atë natë, kur më dogje me buzët e tua. Ta them gjithnjë, sa herë më vjen në ëndërr. Ti më shikon në sy dhe buzëqesh. E ke kuptuar, patjetër, që jemi të fejuar. Pastaj unë i pulis sytë e ti më puth. Sa herë kështu. Kur i hap sytë, nëpër faqe më rrjedhin pikla shiu të nxehta. Sa herë kështu. Po ti harron. Dhe kur më shikon në shtëpinë tuaj bën sikur nuk je ti që më ke puthur; bën sikur nuk je ti që më puth përnatë nëpër gjumë. Dhe për shumë ditë nuk më shikon. Ikën e humb në atë qytetin tënd studentor e s’kujtohesh për mua.

Sa nxehtë. Ah, sikur të binte shi! Të lagesha e të freskohesha ca. Në hajat do të mblidheshin pellgje uji. Në to do të pasqyroheshin copa reshë që rendin. Do të binin petale të bardha. Unë nuk do t’i fshija. Do të rrija ashtu nën shi, të lagesha e të më ngjiteshin flokët në supe.

Ditët që kaluan më hutuan fare. Njëra nga shoqet më bëri një pyetje të çuditshme:
“Mos je ca e lodhur?” më tha.
Unë nuk ndjehesha e lodhur, siç tha ajo; vetëm se sytë nuk i mbaja në një vend. Sikur diçka kërkoja.
“Jo, i thashë, nuk jam e lodhur”.
“Atëherë... mos je e dashuruar?”.
U ngriva në vend; si e kishte kuptuar shoqja ime se unë... se unë?..

Pse s’ra borë sivjet? Dimri, si djalë i prapë kaloi i zënë përkrahu me vjeshtën, si dy të dashuruar. Ranë në krevat me njëri-tjetrin dhe bënë dashuri. Kështu vjeshta u zhduk shpejt nga sytë, duke lënë nëpër pyje e nëpër rrugë ca peizazhe laramane; ndërsa dimri u ndie aq rahat në krahët e saj, sa pothuaj nuk u duk fare në faqe të dheut. Dhe bënë dashuri. Nga krevati i tyre lindi një vajzë e bukur e brishtë. Dhe, kur ne prisnim flokë bore, na ranë papritur mbi supe petale të bardha kumbulle. Ishte Pranverë.
Pse s’ra borë! Kur bie borë, është bukur; djemtë i mbushin duart me topa të bardhë dhe u zënë pusi vajzave. Duart u përskuqen nga të ftohtit, po s’duan t’ia dinë. Vajzat kalojnë gjithë kukurisje, me kokat e bukura të futura në jakat e palltove. O, sa qejf! Të binte një herë borë! Ti do të bëjë si të tjerët, do t’i mbushje duart me topa bore. Dhe kë do të qëlloje?.. Mua! Unë do të vrapoja me kokën të fshehur nën pallto, gjasme duke u ruajtur se mos më qëllonin djemtë, por do të bëja sikur nuk vrapoja dot, enkas që të mbetesha pas, që ti të më kishe në sy. Dhe ti do më qëlloje. Unë do të shtiresha sikur do të zemërohesha, pastaj do të të buzëqeshja e lumtur...
Eh, që s’ra borë!..

Pse ndodh nganjëherë kështu? Pas asaj nate, nuk të pashë më për një javë. Ti do të kesh ardhur të shtunën, por unë nuk të pashë. Më vinte turp tashti të vija në shtëpinë tuaj, sidomos kur ishe ti. Atë fundjavë s’të pashë fare. Por thonë se ndodh gjithnjë kështu: kur dëshiron ta shohësh një njeri që e do, stepesh e ngurron dhe e ndryn dëshirën në shpirt. Pse s’kalove ti nga rrugica ime? Unë isha gjithë ditën në dritare me sytë andej. Nga çasti në çast më bëhej se ti do të kaloje; do të kaloje ashtu kot. Edhe unë do të dilja rastësisht te dera ime dhe, kur të të shikoja, do të thosha gjithë e befasuar: O, po ti kështu!?. Ti do të thoshe, se ja... po shkoje te një shok... Pastaj, si unë e si ti, do të harronim se ç’kishim thënë e do të rrinim bashkë. Po ti nuk kalove rrugicës sime dhe unë trishtueshëm mendoja se nuk do të të shikoja më. Pastaj i jepja zemër vetes, se ja, do të vinte prapë e shtuna. Të shtunën tjetër, po të mos vije ti nga rrugica ime, do të vrapoja unë në shtëpinë tuaj. Le të më vinte turp sa të duash nga motra jote; le të skuqesha e të bëhesha flakë nga shikimi yt. Do të futesha në derë ashtu e shkujdesur dhe pa e çarë kokën se ishe ti; do të shtiresha sikur nuk tronditem fare nga shikimi yt... Po, të shtunën tjetër, ti erdhe! Unë rrija në dritare dhe e haja rrugicën me sy. Ti kalove dhe sytë i mbaje lart, në dritaren time. Pastaj unë dola. Gjithë hare. Ti më prite buzëqeshur. Nuk gënjyem fare; as ti nuk the se po shkoje te një shok, as unë nuk thashë se dola ashtu kot. Përqark varej si një perde e hollë mbrëmja.
- Pse s’erdhe?..- të thash unë.
- Pse s’erdhe?..- më the dhe ti.
Qeshëm si fëmijë. Unë të pyesja pse s’erdhe nga Tirana; ti më pyesje pse s’erdha në shtëpinë tuaj. Ti i ule sytë përtokë. Unë u skuqa, e ndjeva që u skuqa.
- Shiko...
Pastaj heshte. Ç’deshe të më thoshe? Pse s’fole? Nuk kishe kurajë? Unë mendoj ndryshe për djemtë; them se ju, lum si ju, mund t’i thoni pa u tutur gjërat që keni në kokë. Po ti s’kishe zemër as të më shikoje në sy. Po të më shikoje, do të vije re se ata ishin të lagur. Më vure dorën në sup dhe më afrove nga vetja. Unë dridhesha si një zog i lagur. Ti u stepe.
- Ç’ke?
- Hiç.
- Dridhesh.
- .........................

Unë fshiva sytë. Ti m’i more supet në duart e tua. Pastaj më mbështete në gjoks. Unë rrija aty si një zog... Pse s’më puthe atë çast? Nuk do ia mbathja vrapit. Ngrita kokën dhe t’i pashë sytë. I kishe të shndritshëm.

Uh, ik pra! Ç’është kështu? Gjithë natën këtu me mua. S’kam fjetur fare. Ik, që t’i mbyll një çikë sytë. Të shpëtoj nga këto ëndërrime. Nesër në shkollë do më flihet, do ta mbështes kokën në bankë dhe sytë do më mbyllen. Ik, se më dhëmb koka. Pse s’ikën? Nëse do të piqesh me mua, rri nesër, mos shko në Tiranë. Pasdite eja nga rrugica ime dhe merrmë me vete. Në buzëmbrëmje më sill në shtëpi. Kur të ndahemi, do t’i mbyll sytë. Ti atë çast hidhma dorën në sup, merrma kokën në duar dhe afromi buzët...

O, po vjen mëngjesi. Do të ikësh sot?

O, po vjen mëngjesi. Dritarja është zbardhur. Qyteti ka nisur të lëvizë. Ja hapat në kalldrëme. Ikin mësuesit e fshatrave. Ikin studentët. Ikën edhe ti. Kur do të vish? Pse më thua se jam e vogël? Të gjithë më thonë se jam rritur. Dhe jam bërë e bukur. Ma thotë edhe motra jote. S’ta ka thënë edhe ty? Unë mendoj se ta ka thënë. Kurse ti... Po pse më shikon ashtu në sy? Ngaqë të pëlqej. Patjetër e shikon se nuk jam e vogël. Dhe se jam e bukur. A më do? Më do shumë?.. O, sa budallaqe! Apo do një tjetër? Ti s’më ke thënë kurrë se ke një vajzë. Dhe veç më shikon në sy. Buzëqesh. Unë atë çast unë të varem në supe dhe ndjej të puthurën tënde. Mu në buzë...

Ooo, ik tashti.

Ah, Bardha paska dalë vetë nga qymezi.
Kumbulla paska lëshuar sa shumë petale të bardha.

. . . . . . . . . . . .

Mbarova së lexuari tregimin. Ndjehesha i përhumbur.
Gruaja e re... tronditja... tregimi... vogëlushja me rosën e bardhë...
U ngrita, mora rosën e vogël sqepverdhë, që rrinte si e mjerë këmbëpërpjetë në dysheme, e shtypa pak në bark dhe ajo bëri mak-mak.
U ula lodhshëm në vendin tim të punës dhe e vura lodrën aty para syve mbi tavolinë. Ia kisha ngulur sytë i përhumbur...

Rosa, thashë dridhshëm, rosa e tregimit! Dhe ajo vetë - vajza e “Shushurimës”!

Nuk renda nëpër korridor e nuk zbrita nëpër shkallë, nuk dola në rrugë që ta gjeja e t’i thosha se ti je ajo, mikesha ime e ca viteve të shkuara. Ajo histori e vockël, e ëmbël dhe e dëlirë për mua kishte mbaruar me kohë, kishte mbetur atje në qytetin tim të lindjes, e nakatosur me vitet e mia studentore. Po ja, që kishte lënë një shushurimë të trishtë në shpirtin e brishtë të një vajze të dashuruar...


. . . . .
1972








Ku do të jetë autori i kësaj poezie?..


Viteve tetëdhjetë, në redaksinë e gazetës "Zëri i rinisë" vinte edhe një poet i ri, që gjithsesi duhej t’i kishte shkuar të njëzetat, derisa kishte mbaruar fakultetin; kishte studiuar për naftë, më duket. Se edhe andej ishte, nga vendi i naftës, nga Fieri. E quanin Robert K. Stepem t'ia them mbiemrin, sepse kanë shkuar shumë vite pa e parë e nuk di gjë për të... pra nuk jam i sigurt nëse do t’i pëlqente po ta përmendja me emër. Vinte ky djalë dhe sillte vjersha në gazetë. Një herë, si ia pashë poezitë, i thashë: Mirë këto me motive nga jeta, i ke të bukura; por kjo këtu nuk më duket aq e arrirë. Ai hodhi sytë mbi fletët e tij me vjersha, aty ku ishte gishti im, pastaj më tha si me ndrojtje: “Këtë e kam shkruar, ngaqë... nuk mund të botohet një cikël pa një vjershë për partinë"...
Dolëm për kafe...
Të shtunën, në faqen letrare të radhës, cikli i tij u botua "sakat", pa vjershën "për partinë".
Roberti, përveç poezisë, kishte edhe një pasion tjetër: informatikën; nga ai dëgjova për herë të parë mbi mrekullitë e kompjuterit, ai ma nxiti kureshtinë se si në një disketë të vogël sa një skedë telefoni mund të futeshin disa libra të tërë. Dhe kishte nisur të jepte leksione në disa institucione për përdorimin e floppy diskut; një leksion të tillë më duket se e bëri edhe në klubin e shkrimtarëve të asokohe.
Që nga ajo dita e botimit “sakat” të ciklit poetik, Roberti vinte më shpesh në redaksi; jo gjithaq për të sjellë poezi, sesa për një kafe jashtë zyrës... Një ditë më tha se kishte ardhur apostafat nga Fieri vetëm për një kafe... E pimë diku andej nga qendra, pranë ATSH-së së atëhershme. Nxori e më dha një vjershë; është kjo që po e postoj këtu poshtë. Nuk e kishte për botim; ka datën e krijimit: qershor 1987, dhe dy fjalë për mua. E kam ruajtur bashkë me gjërat e pakta që i kam hequr zvarrë me vete kudo që kam shkuar këto 17 vitet e fundit. Mendoj se autori në këtë poezi donte të shprehte atë dhimbje që kishte përbrenda e që nuk e thoshte dot hapur. Kur e lexon sot, mbase nuk duket aq e “guximshme”, por mendoj se duhet parë me syrin e kohës kur është shkruar. Vjersha të tilla nuk ishin për botim atëherë, madje... as për t’u shkruar.
Kanë shkuar më shumë se 20 vite dhe nuk e di se ç’ka ndodhur me këtë krijim, për më shumë nuk di se ku ndodhet vetë autori, Robert K. Po e sjell vjershën në klubin e gazetarëve ngaqë “historia” e saj ka të bëjë me kohën kur punoja në gazetë, por edhe ngaqë këtu janë shumë gazetarë e krijues moshatarë të autorit, të cilët besoj se mund të kujtohen për Robert K. dhe mund të flasin për të e për poezinë që po postoj.
Dhe kushedi ndonjëri do më ndihmonte me ndonjë informacion rreth tij.


Faleminderit

dilaver baxhaku


Robert K.

BISEDË ME SHOKËT

S’ka gjë se lodhemi shumë
flemë pak
dhe s’mund të prehemi deri në fund
nesër do lodhemi më shumë
do flemë më pak
për të korrur ëndrrat që mbollëm sot
për të mbjellë ëndrra të reja
më të shëndetshme.

S’ka gjë se dikujt prej nesh ia kthejnë lulet
dhe nuk ia pasqyrojnë buzëqeshjen e çiltër 1
dhe trishtimin shpesh e kemi mik
dhe shëtitjet e vetmuara mbrëmjeve...
Fëmijët tanë do të dashurohen më bukur se ne.

Nuk arrijmë t’i themi të gjitha
nuk i këndojmë të gjitha këngët që kemi në shpirt
vonohemi të themi “të dua”
puthemi fshehur
nuk i dërgojmë të gjitha letrat e dashurisë
druhemi t’i çojmë lule të dashurës
nuk vrapojmë sa herë duam
nuk shkojmë deri në fund të ëndërrimit tonë
sepse rruga është e vështirë
ka shumë gurë, baltë, rërë
pemë të rrëzuara në mes
njerëz që ecin tmerrësisht ngadalë para nesh
dhe ajri s’është krejtësisht i pastër
dhe qielli s’është krejtësisht i kthjellët
ka akoma re e pluhur
ndotje
njerëz që e ndotin...

Por ama qielli është yni
dhe ajri yni është
dhe udhët
dhe të dashurat, dhe fëmijët e nesërm
dhe nesër do jenë akoma më shumë tonat
dhe nesër ajri do të jetë më i pastër
qielli më i kthjellët
nuk do të ketë ndotje
njerëz që e ndotin
njerëz të vegjël
njerëz të lodhur
njerëz të sëmurë
shtëpi të ulëta
rrugë të ngushta...

Nesër fëmijët tanë do t’i çojnë të gjitha letrat e dashurisë
do t’i thonë të gjitha fjalët e bukura
fjalët e dashuruara
fjalët e zemëruara
fjalët e vërteta
fjalët që nuk i thamë dot ne
do të thonë dhe fjalët tona më të mençura
fjalët që i thamë dhe për ta...

Nesër fëmijët tanë do t’i këndojnë të gjitha këngët
më të bukura se tonat
do të këndojnë dhe këngët tona më të bukura
ato që i kënduam dhe për ta
dhe nesër fëmijët tanë do të jetojnë duke vrapuar
për të pushtuar të gjitha ëndërrimet e tyre.

6. 1987


* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *



Për Bertin...


Nga Faruk Myrtaj



Të ruash poezinë e një të riu, që nuk u pa më në syprinat e letrave shqiptare, dhe kush e di ku është tashmë?!Është gjest i mrekullueshëm ky, Dilo!Nuk mund të mos respektohen sekrete të tilla, nuk ka si të mos duartrokiten njerëzisht...Robertin e njoh, kam qenë njëkohësisht student me të. Na bashkonte fakulteti i pandjekur dot i Letrave.Berti ishte edhe si njeri i vetvetishëm, tërë dritë, tërë gjallëri, një romantik i pandreqshëm, ne një kohë kur mugëtira e shoqërisë shqiptare po shtyhej për nga nonsensi.Ashtu nuk mund të vazhdohej më, por askush nuk shpresonte se mund të lejohej ndryshe.Berti shkruante "ndryshe". Nuk thua dot se ishte deri në fund origjinal. Poezinë e këtij lloji e gjeje dendur aso kohe, apo jo Dilo? Nuk dua të përmend emra, por ishte botuar Pol Eluari asokohe dhe të tërë (jo absolutisht të tërë), krrenin vargje të asaj natyre. Ishte shenjë nevoje për liri, për të ndryshuar, siç u shpreha. Dhe nuk mund të përshëndeteshin këto gjëra.Ndokush, me emër jo të paktë, ( Vaidi e njeh, se ka ndjekur kurs për skenarist atë kohë! ) të martën a të mërkurën na lexoi një poezi-përkthim prej Izet Serjaliq, poet boshnjak (më duket), kurse të dielën po këtë poezi e pamë të botuar si vjershë origjinale te përkthyesit!Eluari, në ketë kuptim, është ribotuar me mijëra herë në Tiranën e atyre viteve.Por Berti nuk e gjeti dot rrugën e suksesit. Jo pse ishte i patalentuar, jo. Pati një shoqëri të beftë, absurde, me një poeteshë tjetër, qe edhe ajo ishte ndryshe: vishte një lloj opingash në universitet, dhe nuk çante kokë për shumë gjëra.Berti e donte, por ata ishin krejt të ndryshëm. Kam frikë se ajo nuk e ka marrë kurrë seriozisht atë djalë...Një cikël i Bertit, i afishuar në faqet e stendës së rrethit letrar te Letërsia tërhoqi shumë vëmendje, rrezellinte gjithçka, dhe drita nuk të linte ta shihje e ta çmoje e ta doje realisht atë lloj poezie...Ai ishte djalë i mrekullueshëm, unë e besoja më shumë si teknik të mrekullueshëm në shkencën e compjutrave, por poezia që do të botohej asokohe ishte e atyre që përgatiteshin të merrnin pushtetin e Letrave dhe pastaj atë politik...Por ai ka fatin e mrekullueshëm që poezia e tij të ruhet nga një tjetër njeri qe e ka ditur se mbajtja ngrohtë e shpirtit prej shpirtit të tjerëve, është pikërisht arsyeja pse jetojmë!

Bukur, Dilaver...


Berti tani? As unë nuk e di ku bëhet.Ishte aq optimist për jetën, sa kam frikë se ajo nuk e ka zhgënjyer atë njeri te mrekullueshëm!

Faruk Myrtaj



* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *


Raimonda Moisiu promovoi librin me poezi



“Dashuria nuk ka emër”




Një promovim i veçantë ishte ai i librit me poezi të Raimonda Moisiut: pa sallë, pa njoftime, pa folës e pa fotografë, nuk kishte as kamera e as gazetarë... kanalet televizivë nuk do ta jepnin lajmin në kronikat e darkës...
Rreth mesditës ishim ulur në një bar aty pranë ish-kinemasë "Partizani": Monda, unë, Riza Lahi e të tjerë. Dhe që aty nisi ai evenimenti i mezipritur i çdo autori, që quhet promovim. Përmes filxhanëve të kafesë a të ndonjë gote me raki, në tavolinë erdhi një "mik" i ri: ishte libri i dalë taze nga magazina e shtëpisë botuese "Albin". Ishte, pra, " Dashuria nuk ka emër" - kështu e ka quajtur Monda librin e saj me poezi. Ende pa u kënaqur vetë me krijesën e saj, autorja nisi të firmosë librat e parë për miqtë që u ndodhën aty. Dhe të marrë përgëzimet e para : "Urime, Monda, me libra të tjerë!". Pas pak ia mbërrin taksia; a nuk ka kjo të ngjarë me ritin e lindjes së një fëmije, kur krijesën e marrin me taksi nga shtëpia e lindjes dhe e çojnë në shtëpinë e prindërve?.. Vetëm se i sapolinduri "Dashuria nuk ka emër" nuk u nis për në shtëpi, por shkoi të sistemohet në valixhet e Mondës për të marrë rrugën nesër menatë për në Amerikë.

Ah këta poetët! Gjërat e rëndësishme i lënë për në fund. Dhe pastaj, kur u bie ndërmend, e derdhin dufin në letër e na këpusin shpirtin me vargjet gjithë mall:

"Po largohem
S'di se ku...
Po largohem
E ndoshta
Më s'do të të shoh!"

(nga poezia "Po largohem")

Kështu dhe Monda, këtë eveniment kaq mbresëlënës për jetën e vet krijuese e la për në fund, pak orë para se të marrë avionin për në Amerikë. Dhe iu desh të bëjë një promovim pa sallë e pa njoftime, pa folës e fotografë, pa kamera e gazetarë...

Gjithsesi, ky promovim i beftë vazhdoi edhe në buzëmbrëmje aty në kafenë "Europa", vend i njohur takimesh për intelektualët e Tiranës. Ashtu e ngutur para nisjes, me nga një kafe a raki përpara, miqtë e urojnë Mondën për një krijimtari gjithnjë të frymëzuar, të bukur. Riza Lahi, që është edhe redaktor i librit, nuk rri pa lexuar e deklamuar disa nga vjershat e përmbledhjes, si "Puthja e parë", "Gurët e rrugicës sime"... Në rrethin tonë janë edhe pedagogu dhe kritiku i letërsisë, Foto Malo me zonjën e tij, pastaj vjen poeti Xhevahir Spahiu, të cilit autorja i jep një libër me autograf dhe merr prej tij urimet e poetit për poeten. Vijnë miq e mikesha të Mondës, kushërira e të njohura të saj. Edhe bisedat sillen për letërsinë e artin, për krijimtarinë e dhjetëra e dhjetëra të mërguarve, që e derdhin mallin e dufin e shpirtit në copa letrash a në tastiera kompjuterësh në të katër anët e dheut, atje ku janë. Flasim për krijimtarinë e Ilirianës, Albanës, Meritës, Drenushës, Arditës, Llamadeos, për fjalën e ngrohtë të Farukut, përvojën krijuese të Kolecit, Nase Janit, Vaidit e Alekos, për të tjerë e të tjerë krijues mërgimtarë. Kritiku Malo thotë se edhe në Greqi, ku ai jeton prej vitesh me familjen e tij, është fort i dukshëm shpirti krijues i emigrantëve tanë. Ndërsa zonja e tij tregon për përfshirjen e saj e të shumë grave të tjera emigrante në veprimtaritë e Shoqatës botërore të diasporës shqiptare.

Dhe këmbehen adresa e numra telefoni.

Që thashë në krye se ishte i veçantë ky promovim i librit të R. Moisiut, desha të nënvizoja se ishte njëherazi i bukur, mbresëlënës. Po më e bukura është se Monda do ta marrë avionin nesër menatë për në Amerikë pa qenë e bindur se e bëri promovimin e librit.

Ndofta ngaqë ishte një promovim pa sallë e pa njoftime, pa folës e pa fotografë, pa kamera e gazetarë... pa njoftim në lajmet e mbrëmjes.

dilaver baxhaku



* * * * * * *

Përshëndetje

Nga Raimonda Moisiu



Përshëndetje i nderuari z. Dilaver Baxhaku! Jam befasuar, jam emocionuar, jam ndjerë shumë e nderuar dhe e respektuar, por edhe më keni lumturuar për çfarë keni shkruar për daljen e librit tim me poezi "Dashuria nuk ka emër". Ishit Ju dhe z. Riza Lahi të parët që prekët krijesën time, 'fëmijën time të porsalindur’. Më shumë se sa falënderimi dhe mirënjohja e pakufishme, Ju meritoni PËRGËZIM, sepse, duke shkruar aq bukur për atë pasmuzg, Ju me mjeshtëri dhe intuite shpalosët një sofrabez mrekullie nga profesioni dhe talenti Juaj i një gazetari profesionist, të hershëm e të pasionuar për të. Përsëri të falënderoj, të shpreh nderimin dhe respektim tim e të familjes sime, dhe të uroj suksese ne rrugën e bukur të krijimtarisë gazetareske e të letrave shqipe.



Respektin më të mirë ofron për Ju, për penën Tuaj, familjen tuaj,


Raimonda Moisiu

Hartford Ct USA.




* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *