25.12.10

URIM për 2011-tën


Miq e pjesëtarë të Lidhjes “Gazetarët Shqiptarë të Diasporës”

Ju urojmë nga zemra GËZUAR Vitin e Ri 2011, shëndet e lumturi në Familje!

Lulëzoftë e u begatoftë edhe këtë vit krijimtaria juaj falas!

Sa më shumë:

· poezi prozaike e prozë poetike;
· tregime e romane me nivel të lartë... publicistik;
· peizazhe të trazuara me bullafiqe lakuriq;
· fjalë të reja për dashuritë e vjetra,
· përralla lazdruese për të rriturit;
· bejte vetullngrysura si këngë vaji;
· shënime ekzotike udhëtimi pa gratë;
· debate miqësore me kacafytje politike;
· intervista shabllon me personazhe të ndryshme;
· lajthitje drejtshkrimore për inat të gjuhës standarde;
· fjalor djegës me pika pika pika;
· rrëfime gjithë pendesë për mëkatet rinore që ju trazojnë pleqërinë;
· ofshe e rënkime të thekshme para gotës avulluese dhe siluetës F përvëluese;
· epitete e metafora të lëngëzuara për frutat e ndaluara;

... ku të ndrijnë emrat tuaj si autorë e si... protagonistë!

Qofshi edhe këtë vit të qarkuar nga botues të kënaqur e lexues buzëvarur!

Ah, ju shkoftë viti me trasta në krah, duke dhuruar veprat!


8.7.10















Libra të rinj – të vjetër në bibliotekën time

Pasi lashë freskinë e mëngjeseve të Frankfurtit dhe vapën e thekshme qytetit të lashtë të Bolonjës, u rreka sërish në Tiranë. Për ca ditë, derisa të mbledh të gjitha leckat e të iki. Në sallon, në dhomën e gjumit e gjithkund nëpër shtëpi janë pirgje me sende të ndryshme, gati për translog. Edhe grumbuj me libra. Po këto ku t'i çoj, them sa herë u kaloj sipër! Peshojnë të mallkuarat, peshojnë nga mendimet që kanë derdhur brenda të mjerët autorë, peshojnë dhe nga kilet. Fletë-fletë bëhet libri e libër-libër bëhen ca kile më shumë në bagazhet e mia.

Paradite, kur po kaloja me biçikletë në trotuarin anës lulishtes së Akademisë, u ndala prapë para bankës me libra të vjetër, ku para ca javësh bleva një vandak me "vjetërsirat" Jakov Xoxës e të Tolstoit, se i donte miku im Ardi në Milano. U ndala ashtu, për zakon, siç ndalen fëmijët para dyqanit të lodrave. Fus duart nëpër kasetat dhe ja ku më del "Patat e egra" të Fatos Arapit.
Ehuuu, dyzet vjeç libër. Bën vetëm 100 lekë (të reja), si të mos e marr? Hë-hë, ja dhe "Era e udhëve" e të mallkuarit Koço Kosta. Ky libër është më i ri, vetëm 30-vjeçar. Viteve tetëdhjetë shkonim bashkë me Koçon në hekurudhë me honorarët e Miço Verlit, (ndjesë pastë), asokohe kryeredaktor i "Zërit të rinisë". Pastaj Koço e katranosi me atë thesarin e Malit të Robit. dhe i solli përqark krerët atje lart. Zaten kokëkrisur ka qenë. Njëqind lekë një Koço Kostë, sa një kafe... epo hallall. Po Ali Podrimjen nuk ia vlen ta fusësh në shtëpi për 100 lekë? Të paktën për atë titull që ka: "Kush do ta vrasë ujkun", që patjetër diçka të vlefshme do të ta mësojë, të paktën në përballje me ujqërit... Ja u bënë tre libra të rinj-të vjetër për bibliotekën time.
Po librat qenkan si qershitë, që thonë se njëra tërheq tjetrën. Ne që s'hamë pasta e akullore, i llogarisim ndryshe harxhet për letërsinë: 300 lekë = 3 dopio raki te dibrani. Pa meze. Po le ta zgjidhim qesen një herë për letërsinë, ta pinë një raki edhe shkrimtarët e mjerë, se iu tha fyti.
Si i kontrollova të gjitha kutitë me libra 100-lekësh, bëra të iki, por ajo puna e qershive më yshti t'i fus duart edhe në kutitë e tjera, ku çmimi ishte më i lartë 2 a 3 fish. Dhe ja ku, në mes titujve apo autorëve të njohur prej 30 e kusur vitesh, më del Roland Gjoza - "Romeo, Zhuljeta dhe errësira". Paska shkruar dhe Rolandi, thashë vetë me vete, sikur të kisha aty pranë Grigorin a Pilon e të shkëmbenim batuta me atë sensin e humorit që përdorim shpesh në klub. Shfletova ballinën dhe m'u shfaq autori - një djalë i ri kaçurrel me bluzë me fyt. Pastaj shkova në faqen e fundit: pashë se edhe ca muaj libri mbush 20-vjetorin e lindjes, apo të botimit. Bukinisti, që gjithë kohës ishte treguar i kujdesshëm të më ofrojë, sipas tij, tituj interesantë, kur pa se "Romeon" e Rolandit e mora vrik, e pa të udhës të mos ndërhyjë, kushedi si tha vetë me vete - "lere se e hëngri". Në fund e "hëngra" edhe me Kazanzaqin ("Ja vdekje, ja liri" – botim i vitit 73) dhe e mbylla me kaq.
Bukinisti i moshuar më bëri hesapin. Nuk harroi të më kujtojë se me kaq para sa pagova kisha bërë një pazar të mirë. Po unë, që s'më rrihet pa dhënë përgjigje për çdo gjë, i thashë se sapo kisha zbritur nga avioni dhe në Bolonjë lashë një treg të madh me libra të vjetër, ku "Komedia Hyjnore" kushtonte vetëm 2 euro.
- Ajo e... Dante Aligherit?" pyeti si në mëdyshje ai...

Erdha në shtëpi me 5 libra të rinj-të hershëm për bibliotekën time. Pas dy ditësh, e di, do të hahem me veten se ku do t'i çoj këto libra, që do më shtojnë disa kile në bagazhet e mia gati për rrugë.

d. baxhaku

16.5.10

Shqipëria me "dy popuj"...

E nderuara, Julia,

Në poezinë tënde, mjafton vetëm metafora e tërmetit, që e trand dheun por më në fund ndalet, si dhe vargu:
Në vendin tim dridhet jeta e popullit me vite
për të merituar nderim ajo.

Sa tronditëse:
Në vendin tim dridhet jeta e popullit me vite

Nuk do të ndërmarr një koment për poezinë tënde, por nga ajo marr shkas për të shfryrë atë që më/na vlon brenda: mërinë dhe urrejtjen e thellë për këtë shpurë bashibozukësh, që popullit shqiptar i kanë rënë në hise për politikanë. Dështimet dhe humbjet e tyre në pazare të ndyra gjithfarësh kërkojnë, secila palë, t'ua servirë popullit si humbjet dhe dështimet e tij. Secila palë ka popullin e vet, se e kanë ndarë më dysh, të mjerin. Janë bërë artificialisht DY popuj shqiptarë - njëri i kuq e tjetri blu. Njëri popull punon, tjetri del në sheshet e protestave. Një herë populli i kuq, një herë populli blu. Secili ka sheshin e tij të protestës. Secili militant ka vendin e tij në rreshtat e protestës, mbase edhe numrin (si të burgosurit) dhe e di symbyllur se ku do të rreshtohet në rast alarmi. Sa jep alarmin partia e tij momë, ai ngrihet dhe, në brekë a në pizhama, rreshtohet aty ku e thërret atë-dheu, dmth parti-dheu. Dhe ulurin e sokëllin. Për të drejtat e humbura, për lirinë e shkelur, për votat e vjedhura... Pa e ditur se ç'është vota, pa e ditur se ç'është liria, pa e ditur se ç'është demokracia. Kush ia mësoi këto vlera në këto 20 vite?! I mësuan vetëm të hidhet e të përfytet për vlerat, por jo se ç'janë në të vërtetë vlerat. Ah, po, me politikën e tyre të djallëzuar, i mësuan se po nuk luftove për NE, që ne të marrim pushtetin, ti dhe jot shoqe nuk do të punoni, nuk keni bukë. Se, po të fitojmë NE, gruaja jote do të punojë në vendin e gruas së atij tjetrit, që është me bindje të tjera, pra do ta heqim nga puna gruan e kundërshtarit tonë dhe në vend të saj do punojë gruaja jote. Dhe i thanë: mbaje mend, ajo do të punojë atje për aq kohë sa ne do të jemi në pushtet, sepse po fituan ATA, do ta heqin nga puna gruan tënde dhe vendin do ia marrë prapë gruaja e atij tjetrit, që është kundër nesh. Kurse ti, i thanë, nuk duhet të punosh, na duhesh për greva e manifestime, që të ruash pushtetin tonë, që të ruash vendin e punës të gruas tënde. Dhe i dhanë një numër e i mësuan vendin e rreshtimit në armatën e manifestueve, blu apo e kuq qoftë.

Ja, këto vlera u mësuan popujve të tyre. Nuk u mësuan të sokëllijnë e të kërkojnë ujë, bukë e dritë, as për çmimet tejet të larta, as kundër korrupsionit. .. Jo, u thanë, ju duhet të luftoni për vlerat, jo për gjëra të rëndomta si uji, drita e buka.

Sa për mrekullitë, këtu, Julia, nuk i bën Zoti, por dy emra. Po deri më sot mrekullia ende nuk ka ndodhur, mrekullia që të shporren nga jeta e këtij populli, kjo duhet të ndodhë.

I nxitur nga retorika e Muratit do të kujtoja një film të hershëm mbi jetën e një revolucionari të botës latine, mbase argjentinas, i cili kur luftonte emri i tij ishte gjithnjë i rrethuar me të kuq, por kur u bë president i vendit të tij, nisi ai t'i rrethojë me të kuq emrat e kundrshtarëve të vet. Zampata i famshëm, shemdbulli i të cilit vlen ende për ne.

dilaver baxhaku

26.2.10

Te restoranti i dibranit

skicë


Edhe sot, si përhera, shkova vonë për të drekuar, aty nga 3 e gjysma e pasdites. E shoqja e dibranit më pruri gotën e rrezellimtë të rakisë dhe më pyeti:
- Të përditshmen?
- Po... si të duash. Edhe sallatën, ë?
- Po, po.
Iku dhe pas pak dëgjova zërin e saj të bukur si cicërimë zogu. Recitonte vargje dashurie. Pas shpinës sime, në një tavolinë rrinte i shoqi me një mik.
- Ku i gjete këto vjersha dashurie? - e pyeti miku i të shoqit, që dukej sheshit se ishte mik i të dyve.
- Ohuuu,- ia bëri ajo, duke tundur dorën e duke lënë kështu të kuptohej se mund t'i kishte bërë edhe vetë. Unë ktheva kokën.
- Ia ke thurur Danit?
- Mua ende s'më ka thënë "të dua",- gjeti rastin të ankohej i shoqi.
- Eeeej, hala pret të të them "të dua"?! Po dy fëmijët me cilin i bana?
- Me mua, po... tjetër fëmijët, tjetër dashuria.
- Sa përpara ke ec, o burrë!
- Të kujt janë? - nguli këmbë miku në tavolinë.
- Të "profesorit".
- Aaa! Ia ka bërë së shoqes? Do të ketë grua të bukur.
- Jo, ia ka marrë mendjen ajo e katit të tretë. I bën dhe ia jep asaj.
- Si ia jep?, - deshi të dinte më shumë miku.
- Ia hedh në ballkon, nga lart, sepse ai rri në katin e katërt. Pastaj ajo na i jep neve.
- I ka të bukura, pse nuk i fut në një libër?
- Dy i ka bërë. Tashti do bëjë të tretin.
Nusja e dibranit nisi prapë të cicërojë poezi. Miku trokëllinte me gishtërinj mbi tavolinë, ndërsa unë gjerboja ende sallatën me domate, djathë e ullinj. U ngrita, shkova deri te banaku.
- Ke vënë gjë për mua në skarë?
- Nuk ta solla pjatën? - u turpërua ajo.
- Jo, po s'ka gjë. Sot ishte ditë poezie. U ngopëm me vjershat e "profesorit".
- Më fal!
- S'ka gjë, vërtetë.
Ajo mori pjatën që priste brenda në kuzhinë.
- Është ftohur pak, ka një orë aty,- nisi të shfajësohet, apo më shumë të fajësojë veten.
- Do ma japësh librin e "profesorit" kur ta botojë?
- Ja kjo do ia botojë, se ai nuk pyet, i bën dhe i lë nëpër ballkone,- tha dibrani.
- I shkreti!,- tha e shoqja,- s'ka faj, me atë që ka nën ballkon, edhe unë po të isha...
Qeshëm pak. Nusja e dibranit më siguroi me sy se do ma jepte domosdo librin me vjersha të ''profesorit'' të shkretë, që digjej për komshijen nën ballkon.

dilaver baxhaku