5.5.09

Interesim i madh për Tubim-Takimin e gazetarëve të diasporës

- humor

Para Takimit të parë të anëtarëve të LGSHD - (Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës)

Një Maji i punëtorëve iku edhe këtë vit pa parakalime, pa flamuj e pa banderola, pa suksese; e gjithë kjo festë kaloi në heshtje. Por, gjithsesi ,një lajm tejet i gëzuar e ka gjalluar vëmendjen e popullit kryeqytetas: haberi se më dhjetë të muajit në vazhdim do të mbahet një tubim. Ca e quajnë tubim, ca takim.

Duket sheshit se është fjala për Tubim-Takimin apo Takim-Tubimin e gazetarëve shqiptarë nga e gjithë bota. Diçka si 'proletarë të të gjitha vendeve, bashkojuni!'. Kryeqyteti ka hedhur rrobat e festës. Në fakt, këto rroba i ka që nga festa e munguar e Një Majit, apo që nga Dita e Verës, nga Pashkët a nga Sulltan Novruzi, nga Dita e Hashures a s'di qysh kur, por i mban veshur që ta kalojë me to edhe festën e gazetarëve. Disa festa me një harxh.

Po përgatiten manifestime të hijshme; nxënësit e shkollave po i japin dorën e fundit programeve të koncerteve artistike, ministria e brendshme ka lëshuar një qarkore për mësuesit: të aplikohet rregulli i takimeve të fushatës zgjedhore, ç'ka do të thotë: t'i fusin kalamajtë në rresht e t'i vendosin përgjatë rrugës X. (Ende nuk është bërë e njohur se nga do të vijnë pjesëtarët e Takim-Tubimit, mbahet e fshehur për siguri të lartë). Studentët e Akademisë së Arteve kanë ngjyer penelët, kompozitorët kanë hapur partiturat, futbollistët kanë organizuar një mini-kampionat (kështu do të vënë në provë edhe trainerin e ri) dhe fitimet (e tepërta) do ua japin fakulteteve të gazetarisë, të cilat në Tiranë kanë gëluar si 'njëqind lulet e majit' kinez. Disa deputetë (sidomos ata që kanë gazeta në pronësi) po ngjizin fjalime të bujshme gjithë lajle e lule, ku do t'i sigurojnë gazetarët se nuk do të dënohen (më) për mufkat që lëshojnë dita-ditës.

Me këtë rast, duke e marrë vesh se jam i vetmi (mbase) gazetar i klubt në Tiranë (pra nga të paktët anëtarë të grupit që guxoj të jetoj në Shqipëri), më kanë ardhur dhjetëra, ç'them?.. qindra telefonata, me të cilat më lypin takime e intervista.

Ndërsa miku im i kahershëm, Lake Moti, fotograf në një institucion me shumë rëndësi, më ka ofruar disa medalje, nga ato që 'Fiks Fare' i zbuloi se prodhoheshin në një kovaçanë shtëpijake turke, dhe më ka kërkuar emrat për dekorime.
- Le që mos u lodh fare të bësh dallime, më tha, i dekorojmë të gjithë. Medalje kemi.

Po kështu:
Baki Fajziu më ka çuar ftesë për një Opinion në TV Klan.
Zhunga ma bëri kokën gungë për një bisedë alla-Zhunga.
Kurse Bobo Rama ka përgatitur 5 pyetjet dhe... 5 përgjigjet e rradhës.
Argon Bula m'u lut të bëj çmos që të jenë të paktën shtatë pjesëmarrës, që të plotësojë kështu një puntatë të emisionit 7 X 7 = 49.
Ndërsa kanali New 24 më ka lypur izëm që ta vërë evenimentin si Lajm të veçantë.

Më këmbëngulës dhe më i motivuar duket se është emisioni 'Njerëz të humbur', që më ka ofruar një bashkëpunim me leverdi, nëse ia tregoj emrat e vërtetë (që fshihen pas pseudonimeve) si dhe adresat e sakta të gazetarëve të humbur.
- Do t'i gjejmë të gjithë në emisionin e rradhës,- më siguroi Mirela.
- Nuk ka gazetarë të humbur,- i thashë unë.
- Po ç'gazetar je ti, kur nuk di të sajosh nja dy a tre 'të humbur' në mes gjithë atyre gazetarëve të shpërndarë si zogjtë e korbit nëpër botë!?- m'u hodh ajo.

Edhe ata të gazetës 'Ndryshe' nuk rrinë duarkryq, presin të vjelin të vonat, të mbushin faqet me poezi a tregime ndryshe nga pjesëmarrësit e Takim-Tubimit.
- Mos pritni kot, u them unë, se ata janë gazetarë, jo poetë e shkrimtarë.
- Eeeee, janë gazetarë nga zanati, por poetë e shkrimtarë nga inati, dmth nga pasioni, - më thotë Fatma e Kullajve. - A ke parë ndonjë reportazh apo artikull në listën e tyre?.. Vetëm vjersha e tregime kërrejnë.
Dhe, që të më zërë mat, nxjerr fletët, dmth faqet word, përplot me tregime, poezi dhe esè të Rolandit, Albanës, Farukut, Vaidit, Grigorit, Ndues, Alekos, Pilos, Novruzit, Palit, Julias, Thanit, Meritës, Vasilit, Elvirës, Kostaqit, Gëzimit...
- E shikon, më thotë, i di të tjerët si veten, që nuk ia shkrep për vjersha e rrëfime. Si nuk zhgarravit dot një reportazh, të paktën! Ç'pret?.. Nuk e di që populli ka nevojë!?
Unë var kokën si një fëmijë i zënë në faj.

Le botuesit, fërkojnë duart e thonë: do ta realizojmë mbi njëqindpërqind planin e vitit, si nga moti, sepse gazetarë-shkrimtarët vijnë duarplot, si bleta, gjithë nektar poetik e lirik nëpër xhepa. Edhe gjithë euro e dollarë.

Kësisoj festa ka nisur. Në sheshin (ende pa emër) pranë kompleksit Taiwan, te parku Rinia, aty ku do të pihen kafet e para e do të provohen pijet e veçanta të ardhura ilegalisht e pa doganë nga përtejkufijtë, është hapur këto ditë panairi i librave të vjetra. Tezgat vijojnë e shtrihen edhe në qendra të tjera të kryeqytetit ballkanik-europian: mbi trotuaret pranë kafene Europa, te Zogu i Zi, në Laprakë, te ish-Blloku, në rrugën Komuna e Parisit, në rrugën Budi... dergjen me qindra e mijëra libra të shtrirë si gjethe fiku përtokë. Përgjegjësi i panaireve të librit, zoti Maji Buzëpopa, ka dhënë urdhër që ky lloj i veçantë pazari të rri hapur gjatë të gjitha ditëve të Takim-Tubimit të pritshëm.
- Me këtë rast,- u shpreh ai në konferencën e shtypit,- shumë nga pjesëmarrësit e festës së klubgazetarëve (dmth vjershëtarë, romancierë, eseistë), do të gjejnë në këto panaire origjinale shumë nga veprat e tyre të kahershme, të cilat zor se i kanë në bibliotekat vetjake; dhe kur të kthehen në atdheun e dytë, matanë Adriatikut e përtej Atlantikut, mund t'ua dëshmojnë me fakte burrave apo grave, se ç'ndihmesë të vyer i kanë dhënë kulturës vendit amë. Ndonjëri syresh do të ketë kësisoj arsye të mjaftueshme të qahet se si atdheu nuk ia di për nder...

Festa pritet të jetë e gëzueshme. Komisioni Adriatik-Atlantikas e ka bërë me kohë programin dhe e ka hedhur në word, vetëm se ia ka vënë kyçin e sigurisë, paswordin, që të mos hapet e të mos e lexojë... armiku. Unë, që rri 24/24 orë në ditë para monitorit, po bëj ç'mos që ta çthur, por paswordi është si një dry elzet, gjithë hieroglife kineze e numra arabë, dhe e kam zor ta ftilloj. Gjithsesi, ditën që do të mbahet Takim-Tubimi, me siguri programi do të jetë gati në tavolinë, mes shisheve të verës e të uzos e të rakisë e të wiskit e të... Eeeeeh sa shishe do të jenë.

Me që ra fjala te shishet (nuk thonë kot se gjuha vete te dhëmbi i prishur) kjo puna e shisheve ka rënë në vesh të ca pijetarëve esnafë këtu në metropol. Se ku e kanë marrë vesh që Grigori do të vij me një makinë përplot me uzo dhe që Ndueja po tërheq zvarrë një kantinë të vjetër me verë Toskane.
- More, mos i lëpini buzët më kot, se... nga e thëna në të bërë kalon në mes një oqean i tërë, u them unë, me qëllim t'i shargoj pak e t'i mbaj larg, se kush i ngop me lëngje këta të babëzitur shqiptarë.
- Hajt, hajt se nuk e hanë fjalën, as Ndueja e as Grigori. I dinë mirë zakonet shqiptare, edhe pse kanë mot që rrinë në dhera të tjera. Shqiptari që është vërtetë shqiptar, kur jep fjalën e mban.
Kështu thonë dhe, më e keqja, kështu besojnë.

Gjithsesi, edhe pa më ngarkuar kush, unë e kam marrë me qejfj këtë detyrën shefit të shtypit të Klubit të Gazetarëve. Se si po më duket vetja: u bëra një herë i rëndësishëm. Qoftë edhe për disa ditë.

Mirë ardhshi zonja e zotërinj gazetarë në Tubim-Takimin historik!

Kur të vini këmbë në Atë-Mëmëdheun tuaj të dashur, po ia fusim andej nga Dajti, ishalla funksionon edhe teleferiku, zëmë një hotel aty dhe rrimë derisa t'i sosim uzot dhe verërat e Greqisë e të Italisë, kadaifët e Turqisë dhe çimçakizët e Amerikës, pastaj e lajmë gurmazin me ca raki Lundre dhe, si t'i kemi tharë të gjitha shishet, dhe shkundur xhepat, dalim në mejdan, bëjmë një parakalim triumfal në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Me këtë rast, gazetat dhe TV-të dukjen tonë do ta komentojnë sipas oreksit: ca si manifestim kundër maxhorancës, ca si karshillëk ndaj minorancës.

Mirë ardhshi, pra.

dilaver baxhaku