13.2.09




Paraqitje poetike: Plloshtani

nga dilaver baxhaku



Bujar Plloshtani, poet shqiptar nga Tetova e Maqedonisë. U njohëm verën e shkuar, kur, së bashku me disa miq poetë e gazetarë nga Vendi e nga Diaspora, kaluam ca ditë veprimtarish në Shkup e në Tetovë. Lirik. Ëndërrues. Shpirtin falë poezisë. I qeshur, i hapur, me dorën e shtrirë të miqësisë, të mirëkuptimit. Dy sy të qashtër, zë melodik, gazmor. Mik me shumë poetë lirikë shqiptarë të kudondodhur. Në shoqërinë me të, më vinte keq që s'isha poet. Kur do të ndaheshim, nuk gjente çfarë të më jepte si kujtim. Libri yt, i thashë unë. I ndritën sytë dhe shkroi ca fjalë në faqen e bardhë pas ballinës me titullin ‘Nga regjia e shpirtit’ (Në foto). Këto ditë më çoi, si papritur, një poezi, atë me titull ‘Oksigjen shkurti’. Si duket donte ta ndante me dikë vetminë e muajit më të shkurtër e më të trishtë të vitit. Eh, këta poetët! ‘Më ço edhe disa të tjera, e nxita unë, do t’i hedh në linjë’. Pastaj i kërkova edhe diçka nga CV-ja e tij poetike:






Në vitin 2002 nisi studimet për Drejtësi në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, ndërkohë është tërësisht i tërhequr pas poezisë dhe filozofisë.
Nëntor-Dhjetor 2005 publikon librin e parë me poezi: "Heshtja e poetit".
Në Dhjetor 2005, si anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve Shqiptarë të Maqedonisë, viziton Goethe Haus & Goethe Museum & Ekspozitën Friedrich Schiller në Frankfurt/Main.
Më 23 Shtator 2006 merr pjesë në manifestimin letrar "Portiku poetik" të Dibrës.
Më 27 Nëntor 2006 reciton në një Orë letrare poezinë "Perëndimi i shpirtit" kushtuar ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 22 e 23 Qershor 2007, në bashkëpunim me Bashkinë e Rrethit të Sarandës, organizon dhe drejton edicionin e parë të manifestimit letrar mbarëkombëtar "Saranda- muza e poezisë" në Sarandë.
Në Tetor 2007 themelon Shoqatën e artistëve "Pushkin" dhe zgjidhet kryetar i saj.
Më 10 Nëntor 2007 merr pjesë në Netët poetike "Takime nën Rrap", të organizuar në Shkup. I jepet çmimi "Për vepër erotike" botuar brenda dy takimeve.
Në Nëntor të po atij viti i publikohet libri poetik "Nga regjia e shpirtit".
Po në Nëntor 2007, Shoqata e artistëve "Pushkin" organizon dhe drejton edicionin e parë të manifestimit letrar "Poezia, art i fjalës".
2008: Boton librin me poezi të zgjedhura nga autorë të botës: "Perla e poezisë botërore".

Bujar Plloshtani

Oksigjen shkurti

Oksigjen shkurti,
tejngop mushkëritë.

Rëndon mbi figura njerëzish të krisur,
vret si shpirtra të zinj.

Jo, nuk bën dhe aq ftohtë dimri,
por gjetkë në nën
lëkurë dëgjohen kambana mërzitjesh.

Oksigjen shkurti,
përmbi nesh.

Imazh shpirtëror...

Seç më ngjajnë brenda meje shpirtra hyjnorë,
Me fund dëlirësie shoh tek më maskojnë.
Më duken se fjolla imazhesh bien në mua,
e, fundin e shpirtit ma japin si një lirikë hënore.

Gjysmerrësira më mbulon, jashtë
shiu më lag, bën ftohtë vjeshte,
ndjenjën time e shoh të vizatuar brenda fytyrës së Hënës.

A mund të jem shndërruar mbi vullnetin e shpirtit hyjnor?
Jam përtej qiejve, atje ku s'duket asgjë!

Jam përtej...

Arkitektura e shpirtit - mbinjeri

Plloshtanit

I
Stuhi e furishme, o erë e vjeshtës së vonshme,
Ti, me vizatimin tënd në natyrë si hije
Vallëzon në sytë e mprehtë të një mbinjeriu.
Me gjethet e vjeshtës, imagjinata në përjetim të ndjenjave
Ku vetë mbretëria e mendimeve është mendja e ndritur.

Të gështenjta dhe të purpurta janë ndjenjat,
Në vetmi të përqendruara për balancë poetike
Nuk sfidohet dot kjo ndjenjë dhe ky përjetim,
Siç është, si një tërmet i vazhdueshëm bajronian a shelleynian.

Fijet e saj, që vdesin dy herë me vështirësi, dhe rropatje
Duhen dy engjëj të fortë dhe të mëdhenj
Për t’ia shkulur shpirtin krejt,
Se ndryshe, ky shpirt nuk vdes kollaj.

Shpirt i madh, që shëtit ngado,
Përdalur dhe virgjëreshë: mbisundo si tiran i inteligjencës
Dhe në fund, kur të të vijë vdekja: vdis si burrë!
Ti shpirt që end pëlhurën tënde prej kristali,
Si ajo ngjyrë e akullt e borës, me pak ndryshim si
Kubeja e shpirtit, që merr formën e një arkitekture e stilit barok
Dhe kjo arkitekturë e shpirtit me emrin - mbinjeri.

Prej zërit tënd nuk ndien frikë askush,
Sepse nuk je sundimtar i brezave,
Por një hero për pasardhësit
Që i zgjon herë pas here nga letargjia e katër stinëve.


II

Sa mundim dhe melankoli të rreptë dergje
Oh, sa gjethe vjeshte të pushtuan mizorisht,
Por ti kapërceve çdo akull dhe çdo brymë
Sa u gjakose! Sa nuk të pa askush të kulluar në gjak.

Ti, shpirt blu në të bardhë,
Mos ndiej ftohje në nerv,
Por jepu fuqi mendimeve
Të pajeta drejt kësaj hapësire të ftohtë,
Më ndihmën e këngës së këtyre rreshtave.

Pianoforte klasike, luaj sonatën më të bukur,
Dhe sille përsëri erën e vjeshtës në mesin tonë
Me atë arkitekturën e shpirtit – mbinjeri.
16 dhjetor 2006

Poeti vizaton ndjenjën me artin hyjnor

Përse nuk më ndihmon, vallë!?
Ti do më pyesje: çfarë të të ndihmoja!?
Besoje se kam nevojë për ndihmën tënde;
Të lutem më ndihmo të ëndërroj,
Të ndiej, të dashuroj me thellësi.

Këtë ndihmë mund të ma japësh vetëm ti
Mos u çorodit kur të them kështu,
Që gjithë këtë hapësirë shterpe
Nga shpirti ta përjashtoj.

Nëse ti më ndihmon ta pushtoj gjithë
panoramën e liqenit dhe të qiellit,
Gjithçka të bukur blu të mbledh në sytë e mi,
E pastaj nën to me anije poetësh ngjyrë shpirti;
Të pluskoj me qetësinë që kam njohur te ti
E të lundroj me lumturinë tënde si mjellmë e mençur.

Liqeni le të vallëzojë me anijen e të gjej
Prehje për një çast,
Dhe qielli kur të hapë sytë e kaltër le të shikojë
Ndjenjën që është vizatuar me hyjnoren art.
Prej teje nuk kërkoj asgjë, vetëm një ndihmë.

Të lutem më ndihmo të bëhem,
Një shpirt që ecën paralel me ty.
Më ndihmo të bëhem engjëll i shpirtit tënd
Të varros drita vetmie dhe,
Gjithçka që e mbyt njeriun në brendi...


Çast


Të shoh se si tymin e cigares nxjerr bukur,
E si të jep imazh të mjegulluar me ngjyrë hiri,
Pastaj me atë lëvizjen e hollshme të vetullave,
Jep një aromë të ngrohtë në fijet e shpirtit.

E, çfarë mund ta quash këtë krijesë?
Vetëm si një engjëllushe që merr frymë,
E që end një pëlhurë kaq të mundimshme me
Ngjyrë trëndafili blu...
Pamje që të emocionon shpirtin
Dhe që të ushqen me sheqerka...
O ëmbëlsi e pafundme, ti na bën të të ndjejmë
Panoramën e shpirtit me fundin e shpirtit.

Ti vërtet ke një forcë shpirtërore,
Mëkat që i largohesh kësaj force.
Afrohu vuajtjes për ta gjetur muzën.

Më duket se kur qesh të shoh nëpër vargje,
Pastaj kur më jep diçka të brendshme,
mua më duket sikur eci
Në trotuarin e shpirtit dhe ndjenjave të tua.
Je magjike më shumë se një yll në Parajsë,
Ti e vdes njeriun me këtë që ke sonte!

shkurt, 2009

10.2.09

6.2.09



Poezi

Mimoza Hametaj

PS - marrë
nga cikli i botuar në listën e gazetarëve

KUJDES, I DASHUR MIK

T'i kuptosh ata në çast nuk ësht' e lehtë,
Të afrohen herë "bujarë" e herë "fisnikë",
Të kërkojnë në dorë të tyre marionetë,
Me një fjalë, me një lajkë, hipokritët!

Kij kujdes dhe ti me ta, i dashur mik!
Herë të ble e herë të shet, kjo fjal' e tyre.
Kij kujdes, nga grack' e fjalëve, iu ik!
Mos të ndihesh nesër keq dhe i zhgënjyer!



Njëra nga "libraritë" e kryeqytetit






Libri përtokë







Kush ka ardhur në Tiranë, e ka parë: ndodhet nën hijen e nëntëkatësheve, aty pranë kafe "Europa". Librashitësi e hap "librarinë" e tij çdo ditë aty nga ora 10-11, në verë edhe më shpejt; i nxjerr me radhë fjalorët e romanet, studimet e përmbledhjet poetike dhe i vendos aty në trotuar, mbi pllakat prej çimentoje, si t'i vijë. Ndërsa blerësit përkulen kokëposhtë për të gjetur ndonjë titull që u duhet. Bëjnë kujdes të mos i shkelin me këmbë, se u dhimbsen. Mban edhe libra të përdorur dhe njerëzit janë mësuar të kërkojnë aty botime të shkuara. Kjo është vetëm njëra nga këto "librari" në kryeqytet; dy a tri të tjera ndodhen dhjetë hapa më tutje, në çdo qoshe ku kalojnë njerëz. Ky është vend i privilegjuar; kushedi sa qira paguan i zoti i dyqanit. Por jo, nuk besoj se paguan qira, pasi dyqani i tij nuk është prej vërteti: seç ka sajuar një qerre, që e merr dhe e bie aty çdo ditë. Gjithsesi, është me fat ky librari i nëntëkatësheve; edhe librat e tij janë të privilegjuar, sepse, kur nis shiu, ai i mbledh shpejt e shpejt dhe i fut në qerre, në dyqanin e tij shëtitës. I ruan të mos lagen. Pret sa të pushojë shiu dhe i nxjerr prapë. Ndodh që, ndërsa bie shi, afrohet ndonjëri dhe e pyet: a e ke filan libër? Ai mendohet një çikë dhe i thotë: e kam, por tashti nuk ta gjej dot, kushedi ku e kam fut, hajde kur të pushojë shiu. Kështu çdo ditë. Kur Bashkia po rregullonte trotuaret, ai rrinte aty, pa punuar, vetëm të mos humbte vendin. Priste me ditë e me orë të shtroheshin pllakat, që të nxirrte librat e tij. Ishte edhe sot, dhe mua m'u dha të bëj nja dy foto. I keni të lidhura në këtë postim.











fotot: dilaver baxhaku
Një autograf i veçantë

(Dy libra të rinj: Monda Moisiu dhe Mëhill Velaj)

Këto ditë pata një libër me një përkushtim të veçantë: ishte vëllimi i ri me poezi i poetit Mëhill Velaj, të cilin ma dhuroi... Monda Moisiu. Mos mendoni se ka ndonjë ngatërresë, as tjetërsim të të drejtave të autorit. Ja se si ndodhi. Ndërsa po rrinim në kafenë mitike aty pas ish-kinemasë ‘Partizani’, ku Monda, të paktën një herë në vit, paraqit një libër të ri, ashtu pa kamera e pa gazetarë, siç bëri edhe sot një vit; pra ndërsa po pinim kafenë e librit të saj të ri ‘Pafajësia e Evës’ dhe ajo në faqen e brendshme të kopjes që do më dhuronte mua po shkruante: ‘Me respekt e dashuri, mikut tim, Dilaverit’, mbi syprinën e tavolinës pashë një tjetër libër. I hodha sytë ballinës: Mëhill Velaj dhe ‘Lule që rritemi në gur’. Monda nuk më la ta pyes. ‘Ky është libri i ri i Mëhillit,- tha.- Jam e autorizuar nga autori t’ua dhuroj librin e tij miqve tanë’ dhe mori e shkroi mbi faqen e parë të bardhë: ‘Dilaverit, me mirënjohje, Mëhill Velaj’. Mbeta i mrekulluar. Gjë e bukur, pëshpërita. Dhe i mora librat në duar; të dy të rinj, si dy krijesa që sa kanë nisur ecjen. Ecjen e paslindjes. Sepse duket se librat u ngjakan vërtetë krijesave njerëzore: ngjizen e rriten më parë në barkun e nënës a në mendjen e autorit, rriten e kalojnë aty nëntë muaj a nëntë vite, pastaj bëjnë lindjen ‘zyrtare’, dalin në jetë dhe nisin të numërojnë hapat mbi tapete a në duart e lexuesve. E shfletova librin e ri të poetit Velaj, dhe u ndala te poezia e dytë: ‘Dinjiteti’. Lexova:


Në këtë botën tonë të gjorë
Që ngre, poshtëron njerëzinë,
Jep forcë, rini, kohë, jetë,
Një gjë mos jep – krenarinë.
. . . . . . . . .

Do ta lexoj këtë libër, thashë me vete, dhe vijuam bisedat e tavolinës. Është me ne Kozeta Zavalani, së cilës i thashë sa zili e kam që ka qenë në shtëpinë e Tuenit; ndërsa ajo ma nxit edhe më shumë smirën, kur më thotë se ka qenë edhe në shtëpinë e Xhek Londonit... Është i pamungueshmi Riza Lahi, mik i mirë i Mondës, që duket se do ia gjejë fundin bejteve. Është edhe botuesi i librave të rinj, Spiro Dede. Dhe flasim për krijimet e shoqeve e të shokëve të shpërndarë nëpër kontinente.
Pastaj miqtë e mi, Monda, Kozeta dhe Rizai, marrin një taksi për të mbërritur të tjerë miq, me krijesat e sapolindura në duar, që t’u japin sihariqin. Unë kthehem në shtëpi, vihem para kompjuterit tim, dhe shfletoj ‘Pafajësia e Evës’. Pjesa e parë:

Eva ishte ulur në njërën nga sedilet e mesit të autobusit të linjës Pogradec-Vlorë. Ishte vetëm. Agroni i kishte ofruar kujdesin e tij prej vëllai, që ta shoqëronte, por Evës i pëlqente vetmia, sidomos në momente të veçanta. Vetmia ishte një ‘mike’ e ngushtë për të...

Pastaj i fus librat e rinj në bibliotekën time virtuale, ua skanoj ballinat.

Dy libra të rinj të dy miqve tanë, që nuk i kalojnë të 120 faqet, me ballina të thjeshta, por të hijshme, njëri roman dhe tjetri me poezi. A është romani i parë i Mondës? Guximi i parë në prozën e gjatë? Suksese. Suksese të dy krijuesve tanë, miqve tanë! Mondën e falënderova direkt, ndërsa Mëhill Velajn e falënderoj me anë të këtij shkrimi për librin e tij në bibliotekën time. Me autografin e Mondës. Bukur, apo jo.

dilaver baxhaku