15.4.09

Metamorfoza e librarisë ‘Kadare’



Pse u mbyll libraria ‘Kadare’?.. Nganjëherë duhet të kujtohemi të ‘shfletojmë’ ato që ka thënë populli: ‘fillimi i mirë, gjysma e punës’ mbase e përligj a e përflet edhe hapjen apo mbylljen e ish-librarisë më të famshme në Tiranë. Po t’i vinim një bisht kësaj thënieje të zgjuar të popullit, do të dilte: ‘fillimi i shtrembër, gjysma e dështimit’. Në shkrimin që bëra ato ditë kur u mbyll libraria, përveç keqardhjes, mendoj se do të jetë ndjerë aty njëfarë qortimi për lehtësinë apo pakujdesin me të cilën ishte lejuar të përdorej emri i shkrimtarit të madh në ballë të asaj kafe-librarie; lehtësi e pakujdes jo nga ortakët e biznesit, se ata nuk e kanë këtë ndjesi, por... diçka si mesazhi që jep edhe titulli i filmit të kahershëm: ‘Duaje emrin tënd’.
Mendoj se emri i shkrimtarit, edhe pse nuk u bë kujdes të shmangej që në fillim nga lidhja me një biznes të paqartë, së paku duhej ruajtur e shpëtuar nga dështimi, nuk duhej lënë të lakohej e të përflitej në pazaret e në llafnajën e falimentimit të një kafeneje. Për shembull, të veçohej libraria nga kafeneja e të riorganizohej më vete si librari apo si qendër kulturore. Pasi, si e tillë, nuk besoj se do të falimentonte kollaj. Ka shembuj: libraria ‘Agolli’, e vogël dhe pa shumë salltanete, jeton dhe gëzon shëndet aty në rrugën e Postës. Po as shteti, lexo: ministria e kulturës, e as ndonjë grup biznesmenësh të pasionuar për gjërat e mira kombëtare që kemi, nuk u tundën vendit, kur erdhi falimentimi i kësaj kafe-librarie. Siç bëjnë ndonjëherë – dhe bëjnë mirë – për mbështetjen e sportit, a për restaurimin e Urës së Tabakëve.

Metamorfoza

Këto ditë, ish-libraria më e famshme e kryeqytetit, më saktë: mjedisi ku ishte hapur kjo librari, ka një gjallëri të veçantë. Mos u ngazëlleni para kohe: nuk ka ndodhur ndonjë mrekulli, fjala vjen të jetë rihapur libraria. Jo, në mjediset e saj, disa biznesmenë të tjerë kanë sistemuar një kompleks Loto-Sport. Ky lloj biznesi është nga më të rinjtë në Shqipëri (ka lindur këto tri vitet e fundit), por ka një lulëzim të dukshëm. Njerëzit turren aty për të fituar para. Gati-gati si te piramidat e hershme. (Si për ironi, tamam në këtë mjedis ka qenë dikur selia e piramidës Vefa, që u bombua më ’97). Turren sidomos të rinjtë. Të dëshpëruar, se nuk gjejnë dot një punë, se nuk gjejnë dot një vizë për të emigruar (për t’ia mbathur) jashtë, me xhepa të mjerë, turren aty për të parashikuar fatet e sporteve të botës. Nuk mund të lë pa thënë, se shumë prej tyre shkojnë aty të yshtur e të mikluar nga sekserët e shumtë, që shiten si të ‘mirinformuar’ për bastet dhe ndeshjet e shitura në mbarë botën dhe që i sigurojnë klientët për fitore të sigurta të njërës apo tjetrës skuadër. A shiten vërtetë ndeshjet, apo mashtrojnë sekserët për të ndjellë sa më shumë klientë, nuk e di, por di se këtë lloj biznesi e ndesh sot kudo në Tiranë e në të gjitha qytetet e vendit: një vrimë dyqani, një tabelë ku shkruhet loto-sport, euro-loto apo mondial-loto, një kompjuter dhe shumë njerëz që hedhin aty paratë. Lere se ç’vete!
Një biznes i tillë i suksesshëm është hapur ditët e fundit edhe në mjediset e ish-librarisë së shumëpërfolur. Loto-sport (për skuadra që nuk i njohin), Gara me kuaj (edhe pse gara hipizmi nuk bëhen në Shqipëri), e gjithfarë veprimtarish sportive ndërkombëtare, që të këndellin të fitosh para. Më saktë... të hedhësh para. Dhe, si për lezet, fare ngjitur, në njërën pjesë të kafe-librarisë së dikurshme, është hapur një agjenci këmbimi valute. Pra: fito lekë në loto dhe këmbeji me euro a me dollarë në agjencinë ngjitur, ose merr ca euro a dollarë nga vëllai emigrant, këmbeji në agjenci dhe shko e lëri në rrotën e loto-sportit. Pa u lodhur fare të shkosh andej-këndej.
Me kohë, në njërin nga të katër cepat e kryqëzimit të rrugës së Dibrës me atë të Barrikadave, lulëzon një Bar i përshtatur për të rinjtë e mërzitur. Ndërsa në anën tjetër, tetë metro më tutje, në katin e përdhes të vilës së bukur Petrela, është hapur tashti vonë një tjetër biznes i kohës: një Casinò, nga vitrinat e së cilës, vajza të bukura gjysmëlakuriqe të hedhin në surrat letrat e fatit.
Duket se, më në fund, me sistemimin e kompleksit të ri të loto-sporteve në mjediset e kafe-librarisë së pafat, sheshi aq i njohur i kryeqytetit, ka gjetur ustallarët e vërtetë të biznesit.

dilaver baxhaku
Shumë urime për ty, Klubi ynë!
Klubit të Gazetarëve, që bëhet 5 vjeç

... Nuk e di sa u bënë, tri a katër vite, kur i shkrova Farukut nga Italia në Canada e i kërkova të më futej mik për në listën e gazetarëve. Kisha mësuar, ashtu rastësisht, se kishte një listë a grup të tillë dhe, se si m'u kujtua që dikur kisha qenë edhe unë gazeta-shkrues. Pse të mos e provoj edhe në këtë gazetë, dmth në këtë listë që paska një emër me gazetë, thashë. Ku i dihet, mbase paguajnë honorare të mira dhe nxjerrim ndonjë dollar a ndonjë euro për një birrë. De, nuk jemi më studentë të Gazetarisë, që trokisnim në dyert e redaksive për t'u ofruar perlat tona, por sikur ia themi ndopak edhe sot: zakoni (apo zanati) del me shpirtin, thonë. Faruku po, s'e bëri të gjatë, iu lut Albanës, mbase i ofroi edhe ndonjë kafe, si shumë i sjellshëm që është, dhe më në fund mora lajmin e mirë nga shefja, se më ishte miratuar dëshira për në klub. Tesera nuk kishte, po ç'më duhej, kur unë në Milano e klubi në Nju Jork?! Se mos do të shkoja ndonjëherë ashtu dal vivo; vetëm virtualmente do të pija ndonjë kafe a ndonjë wisky.
Tashti, ashtu është, siç thotë miku im i dashur, Ndue Lazri: sikur e shkelim ndonjëherë, dhe kjo dreq 'shkelje' nuk paska moshë: sa kërkon të ruhesh se mos thua ndonjë mufkë, fap të del nga goja, nga tastiera duhet thënë. Unë, siç e di këtë të metë të Dilos, kam bërë një zakon: më parë se t'i nis mesazhet, i fus në dhomën e bocave, në ruajtje, i mbaj aty ca orë a ca ditë, sa të më piqet mendimi se nuk e kam shkelur, pastaj i nxjerr e i postoj. Por, sa i postoj, bëhem pishman, prapë e shkela them me vete, dhe shpejtoj t'i shkruaj Albanës në privat që ta bllokojë ms, se... se e kam shkelur. Mirë që ndonjëherë shefja e mban 'valixhen' e luftës me vete dhe ma plotëson kërkesën, por shpesh mesazhet me të shkelur dalin në listë pa mundur që Albana t'i bllokojë. Unë kafshoj gjuhën, dmth kafshoj gishtat, dhe jap fjalën (vetë me vete) se nuk do ta shkel më. Dhe, që ta mbaj fjalën, rri një muaj pa shkruar...
Rri mënjanë dhe pres Vaidin, Rolandin, Grigorin, Farukun, Novruzin, Pilon e Nduen, të nisin ndonjë chat me batuta e me qyfyre, që të më dalë mërzia e heshtjes, e vetëngujimit. Pres të thyhet ndonjë poçe vere a ndonjë shishe uzoje, e të rrjedhë faqes së monitorit, që të marr një gotë e ta kthej me lezet e hare, duke e trokitur online me miqtë, sipas modës së re të kënaqësive. Dhe kështu, si në adoleshencën e hershme, qesh e mrekullohem, nuk ndjehem vetëm, po me miq e me shokë (të të dyja gjinive).

Shumë urime për ty, Klubi ynë!
dilaver