Te restoranti i dibranit
skicë
Edhe sot, si përhera, shkova vonë për të drekuar, aty nga 3 e gjysma e pasdites. E shoqja e dibranit më pruri gotën e rrezellimtë të rakisë dhe më pyeti:
- Të përditshmen?
- Po... si të duash. Edhe sallatën, ë?
- Po, po.
Iku dhe pas pak dëgjova zërin e saj të bukur si cicërimë zogu. Recitonte vargje dashurie. Pas shpinës sime, në një tavolinë rrinte i shoqi me një mik.
- Ku i gjete këto vjersha dashurie? - e pyeti miku i të shoqit, që dukej sheshit se ishte mik i të dyve.
- Ohuuu,- ia bëri ajo, duke tundur dorën e duke lënë kështu të kuptohej se mund t'i kishte bërë edhe vetë. Unë ktheva kokën.
- Ia ke thurur Danit?
- Mua ende s'më ka thënë "të dua",- gjeti rastin të ankohej i shoqi.
- Eeeej, hala pret të të them "të dua"?! Po dy fëmijët me cilin i bana?
- Me mua, po... tjetër fëmijët, tjetër dashuria.
- Sa përpara ke ec, o burrë!
- Të kujt janë? - nguli këmbë miku në tavolinë.
- Të "profesorit".
- Aaa! Ia ka bërë së shoqes? Do të ketë grua të bukur.
- Jo, ia ka marrë mendjen ajo e katit të tretë. I bën dhe ia jep asaj.
- Si ia jep?, - deshi të dinte më shumë miku.
- Ia hedh në ballkon, nga lart, sepse ai rri në katin e katërt. Pastaj ajo na i jep neve.
- I ka të bukura, pse nuk i fut në një libër?
- Dy i ka bërë. Tashti do bëjë të tretin.
Nusja e dibranit nisi prapë të cicërojë poezi. Miku trokëllinte me gishtërinj mbi tavolinë, ndërsa unë gjerboja ende sallatën me domate, djathë e ullinj. U ngrita, shkova deri te banaku.
- Ke vënë gjë për mua në skarë?
- Nuk ta solla pjatën? - u turpërua ajo.
- Jo, po s'ka gjë. Sot ishte ditë poezie. U ngopëm me vjershat e "profesorit".
- Më fal!
- S'ka gjë, vërtetë.
Ajo mori pjatën që priste brenda në kuzhinë.
- Është ftohur pak, ka një orë aty,- nisi të shfajësohet, apo më shumë të fajësojë veten.
- Do ma japësh librin e "profesorit" kur ta botojë?
- Ja kjo do ia botojë, se ai nuk pyet, i bën dhe i lë nëpër ballkone,- tha dibrani.
- I shkreti!,- tha e shoqja,- s'ka faj, me atë që ka nën ballkon, edhe unë po të isha...
Qeshëm pak. Nusja e dibranit më siguroi me sy se do ma jepte domosdo librin me vjersha të ''profesorit'' të shkretë, që digjej për komshijen nën ballkon.
dilaver baxhaku
Nessun commento:
Posta un commento