29.11.09

Shqipëria me dy data çlirimi (?!)

Edhe shqiptarët e nderojnë Luftën për çlirim nga fashizmi e nazizmi, dhe rrjedhimisht sakrificën sublime dhe gjakun e dhënë për çlirimin e vendit. Ajo që diskutohet e që i ndan ende shqiptarët në këto 20 vjet është data e Çlirimit: 28 apo 29 nëntori i 44-ës? Siç dihet, në vitin 1944 Çlirimi u festua më 28 nëntor. Data 29 nëntor nisi të festohet si Dita e Çlirimit vetëm në vitin 1946, edhe pse vendimi për ndryshimin ishte marrë nga Kryesia e Këshillit ANÇ qysh më 9 nëntor 1945. Në Shkodër, edhe në vitin 1945, Dita e Çlirimit u festua më 28 Nëntor. Shumë studiues a politikanë, kryesisht të djathtë, e lidhin këtë ndryshim të datës së Çlirimit me planin e Titos e të Hoxhës për bashkimin e Shqipërisë me Federatën Jugosllave, si republikë e ardhshme e shtatë e saj, dhe me paramendimin e qeverisë së asokohshme për ta festuar, në të ardhmen, ditën e çlirimit në një ditë me festën e Federatës së Jugosllavinë, pra më 29 nëntor. Kjo datë lidhet me nëntorin e vitit 1943, kur në Jajcë të Bosnjës u mbajt mbledhja e Dytë Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), ku u hodhën themelet e shtetit të ri federal të tipit komunist.
Edhe po ta përjashtosh këtë qëllim, pra unifikimin e datës sonë të çlirimit me atë të federatës jugosllave, prapë nuk arrin të kuptosh se për ç'arsye e bëri këtë spostim të datës së çlirimit qeveria e kohës së atëhershme.
Sidoqoftë, deri në vitin 1990, për arsyet që dihen, nuk u mor njeri me këtë punë, edhe pse nënë zë shumëkush thoshte se dita e vërtetë e Çlirimit nuk qenkësh 29-ta, por 28-ta. Ky problem nisi të diskutohej hapur dhe me nerv të veçantë pas vitit 90, mesa duket nga përpjekjet për çpolitizimin e simboleve e të datave historike. Në vitin 1993 u ngrit Komisioni i Posaçëm për datën e saktë të Çlirimit, i cili vlerësoi 28 nëntorin si datën e çlirimit të Shkodrës, dhe rrjedhimisht edhe të clirimit të vendit. Pas kësaj u duk sikur mori fund diskutimi i vështirë për datën e Çlirimit. Por jo. As dy dokumentet e kolonelit gjerman, V. Hofman, që i dorëzoi në Ministrinë tonë të Mbrojtjes në shkurt të vitit 2002, nuk i bindën të gjithë. Në fakt, dokumentet nuk e japin të qartë atë që duan shqiptarët, pra ditën e ikjes së gjeramnit të fundit nga toka jonë. për këtë, ka edhe interpretime të ndryshme: disa thonë se dokumentet vërtetojnë si datë të çlirimit të Shqipërisë 29 nëntorin, të tjerë mëtojnë se aty vërtetohet se është 28-ta.
Edhe sot e kësaj dite çështja e datës së Çlirimit ende nuk është qartësuar. E majta shqiptare njeh dhe feston 29 nëntorin, ndërsa e djathta, dhe rrjedhimisht qeveria e tanishme, njeh 28 nëntorin. E veçanta e këtij Nëntori 2009 ishte/është se një pjesë e qeverisë, pra komponenti LSI, njeh si datë të çlirimit 29-ën, ndërsa komponenti PD njeh 28-ën. Pra një qeveri me dy data çlirimi.
Dyzimi i datës së Çlirimit mund të quhet si një nga paradokset më të çuditshme shqiptare të këtyre dy dekadave të fundit, që me të drejtë është bërë edhe "bukë" për dhëmbët e humorit, e vazhdon të ironizohet e të satirizohet sa herë vjen nëntori. Por dyzimi i datës së Çlirimit vërteton më së shumti paaftësinë e plotë të politikanëve tanë (deri në mosdashje) për t'i dhënë zgjidhje të qëndrueshme një çështjeje, sa të vështirë në dukje, aq të lehtë në praktikë. Kjo "histori” me dy data çlirimi, do të kishte marrë fund nëse politika e sotme (20-vjeçare) shqiptare do të kërkonte një zgjidhje praktike dhe logjike. Konkretisht, për rivlerësimin e datës së Çlirimit, e ka pasur në dorë një zgjidhje të pranueshme nga të gjithë, nëse do të vlerësonte si të tillë 17 Nëntorin, ditën e çlirimit të Tiranës, kryeqytetit të vendit. Një praktikë të tillë e kanë zgjedhur e pranuar edhe shumë shtete në Europë, në mos të gjithë, të cilët si datë të çlirimit të vendit të tyre respektojnë atë të çlirimit të kryeqytetit. Dhe është logjike, sepse një vend quhet i pushtuar kur i është zaptuar kryeqyteti, dhe njihet si i lirë sapo ka çliruar kryeqendrën e tij.
Për shqiptarët, që vijojnë të jenë të kapluar në një amulli sociale, si rezultat i situatave të konfliktit që mbajnë e ushqejnë partitë kryesore të vendit, një zgjidhje e tillë do të ishte shpëtuese. Dhe nuk do të vijonim të kishim dy data çlirimi; nuk do të vijonim të ishim të ndarë edhe sot e kësaj dite për një çështje kaq lehtësisht të zgjidhshme; nuk do vijonim ta cilësonim “komunist” atë që njeh si datë të çlirimit 29-ën, ose “berishist” atë që është i bindur për 28-ën. Do të kishim edhe ne, si popujt e tjerë që luftuan fashizmin dhe nazizmin, një datë të vetme Çlirimi, dhe do të ishim bashkë në një ditë për ta respektuar e nderuar siç i ka hije Sakrificën Mbarëpopullore për Çlirim.

Shënim – për disa fakte, autori i është referuar artikullit të gjatë të historianit Kasem Biçoku, “Evërteta e çlirimit të Shqipërisë”.

dilaver baxhaku

5.5.09

Interesim i madh për Tubim-Takimin e gazetarëve të diasporës

- humor

Para Takimit të parë të anëtarëve të LGSHD - (Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës)

Një Maji i punëtorëve iku edhe këtë vit pa parakalime, pa flamuj e pa banderola, pa suksese; e gjithë kjo festë kaloi në heshtje. Por, gjithsesi ,një lajm tejet i gëzuar e ka gjalluar vëmendjen e popullit kryeqytetas: haberi se më dhjetë të muajit në vazhdim do të mbahet një tubim. Ca e quajnë tubim, ca takim.

Duket sheshit se është fjala për Tubim-Takimin apo Takim-Tubimin e gazetarëve shqiptarë nga e gjithë bota. Diçka si 'proletarë të të gjitha vendeve, bashkojuni!'. Kryeqyteti ka hedhur rrobat e festës. Në fakt, këto rroba i ka që nga festa e munguar e Një Majit, apo që nga Dita e Verës, nga Pashkët a nga Sulltan Novruzi, nga Dita e Hashures a s'di qysh kur, por i mban veshur që ta kalojë me to edhe festën e gazetarëve. Disa festa me një harxh.

Po përgatiten manifestime të hijshme; nxënësit e shkollave po i japin dorën e fundit programeve të koncerteve artistike, ministria e brendshme ka lëshuar një qarkore për mësuesit: të aplikohet rregulli i takimeve të fushatës zgjedhore, ç'ka do të thotë: t'i fusin kalamajtë në rresht e t'i vendosin përgjatë rrugës X. (Ende nuk është bërë e njohur se nga do të vijnë pjesëtarët e Takim-Tubimit, mbahet e fshehur për siguri të lartë). Studentët e Akademisë së Arteve kanë ngjyer penelët, kompozitorët kanë hapur partiturat, futbollistët kanë organizuar një mini-kampionat (kështu do të vënë në provë edhe trainerin e ri) dhe fitimet (e tepërta) do ua japin fakulteteve të gazetarisë, të cilat në Tiranë kanë gëluar si 'njëqind lulet e majit' kinez. Disa deputetë (sidomos ata që kanë gazeta në pronësi) po ngjizin fjalime të bujshme gjithë lajle e lule, ku do t'i sigurojnë gazetarët se nuk do të dënohen (më) për mufkat që lëshojnë dita-ditës.

Me këtë rast, duke e marrë vesh se jam i vetmi (mbase) gazetar i klubt në Tiranë (pra nga të paktët anëtarë të grupit që guxoj të jetoj në Shqipëri), më kanë ardhur dhjetëra, ç'them?.. qindra telefonata, me të cilat më lypin takime e intervista.

Ndërsa miku im i kahershëm, Lake Moti, fotograf në një institucion me shumë rëndësi, më ka ofruar disa medalje, nga ato që 'Fiks Fare' i zbuloi se prodhoheshin në një kovaçanë shtëpijake turke, dhe më ka kërkuar emrat për dekorime.
- Le që mos u lodh fare të bësh dallime, më tha, i dekorojmë të gjithë. Medalje kemi.

Po kështu:
Baki Fajziu më ka çuar ftesë për një Opinion në TV Klan.
Zhunga ma bëri kokën gungë për një bisedë alla-Zhunga.
Kurse Bobo Rama ka përgatitur 5 pyetjet dhe... 5 përgjigjet e rradhës.
Argon Bula m'u lut të bëj çmos që të jenë të paktën shtatë pjesëmarrës, që të plotësojë kështu një puntatë të emisionit 7 X 7 = 49.
Ndërsa kanali New 24 më ka lypur izëm që ta vërë evenimentin si Lajm të veçantë.

Më këmbëngulës dhe më i motivuar duket se është emisioni 'Njerëz të humbur', që më ka ofruar një bashkëpunim me leverdi, nëse ia tregoj emrat e vërtetë (që fshihen pas pseudonimeve) si dhe adresat e sakta të gazetarëve të humbur.
- Do t'i gjejmë të gjithë në emisionin e rradhës,- më siguroi Mirela.
- Nuk ka gazetarë të humbur,- i thashë unë.
- Po ç'gazetar je ti, kur nuk di të sajosh nja dy a tre 'të humbur' në mes gjithë atyre gazetarëve të shpërndarë si zogjtë e korbit nëpër botë!?- m'u hodh ajo.

Edhe ata të gazetës 'Ndryshe' nuk rrinë duarkryq, presin të vjelin të vonat, të mbushin faqet me poezi a tregime ndryshe nga pjesëmarrësit e Takim-Tubimit.
- Mos pritni kot, u them unë, se ata janë gazetarë, jo poetë e shkrimtarë.
- Eeeee, janë gazetarë nga zanati, por poetë e shkrimtarë nga inati, dmth nga pasioni, - më thotë Fatma e Kullajve. - A ke parë ndonjë reportazh apo artikull në listën e tyre?.. Vetëm vjersha e tregime kërrejnë.
Dhe, që të më zërë mat, nxjerr fletët, dmth faqet word, përplot me tregime, poezi dhe esè të Rolandit, Albanës, Farukut, Vaidit, Grigorit, Ndues, Alekos, Pilos, Novruzit, Palit, Julias, Thanit, Meritës, Vasilit, Elvirës, Kostaqit, Gëzimit...
- E shikon, më thotë, i di të tjerët si veten, që nuk ia shkrep për vjersha e rrëfime. Si nuk zhgarravit dot një reportazh, të paktën! Ç'pret?.. Nuk e di që populli ka nevojë!?
Unë var kokën si një fëmijë i zënë në faj.

Le botuesit, fërkojnë duart e thonë: do ta realizojmë mbi njëqindpërqind planin e vitit, si nga moti, sepse gazetarë-shkrimtarët vijnë duarplot, si bleta, gjithë nektar poetik e lirik nëpër xhepa. Edhe gjithë euro e dollarë.

Kësisoj festa ka nisur. Në sheshin (ende pa emër) pranë kompleksit Taiwan, te parku Rinia, aty ku do të pihen kafet e para e do të provohen pijet e veçanta të ardhura ilegalisht e pa doganë nga përtejkufijtë, është hapur këto ditë panairi i librave të vjetra. Tezgat vijojnë e shtrihen edhe në qendra të tjera të kryeqytetit ballkanik-europian: mbi trotuaret pranë kafene Europa, te Zogu i Zi, në Laprakë, te ish-Blloku, në rrugën Komuna e Parisit, në rrugën Budi... dergjen me qindra e mijëra libra të shtrirë si gjethe fiku përtokë. Përgjegjësi i panaireve të librit, zoti Maji Buzëpopa, ka dhënë urdhër që ky lloj i veçantë pazari të rri hapur gjatë të gjitha ditëve të Takim-Tubimit të pritshëm.
- Me këtë rast,- u shpreh ai në konferencën e shtypit,- shumë nga pjesëmarrësit e festës së klubgazetarëve (dmth vjershëtarë, romancierë, eseistë), do të gjejnë në këto panaire origjinale shumë nga veprat e tyre të kahershme, të cilat zor se i kanë në bibliotekat vetjake; dhe kur të kthehen në atdheun e dytë, matanë Adriatikut e përtej Atlantikut, mund t'ua dëshmojnë me fakte burrave apo grave, se ç'ndihmesë të vyer i kanë dhënë kulturës vendit amë. Ndonjëri syresh do të ketë kësisoj arsye të mjaftueshme të qahet se si atdheu nuk ia di për nder...

Festa pritet të jetë e gëzueshme. Komisioni Adriatik-Atlantikas e ka bërë me kohë programin dhe e ka hedhur në word, vetëm se ia ka vënë kyçin e sigurisë, paswordin, që të mos hapet e të mos e lexojë... armiku. Unë, që rri 24/24 orë në ditë para monitorit, po bëj ç'mos që ta çthur, por paswordi është si një dry elzet, gjithë hieroglife kineze e numra arabë, dhe e kam zor ta ftilloj. Gjithsesi, ditën që do të mbahet Takim-Tubimi, me siguri programi do të jetë gati në tavolinë, mes shisheve të verës e të uzos e të rakisë e të wiskit e të... Eeeeeh sa shishe do të jenë.

Me që ra fjala te shishet (nuk thonë kot se gjuha vete te dhëmbi i prishur) kjo puna e shisheve ka rënë në vesh të ca pijetarëve esnafë këtu në metropol. Se ku e kanë marrë vesh që Grigori do të vij me një makinë përplot me uzo dhe që Ndueja po tërheq zvarrë një kantinë të vjetër me verë Toskane.
- More, mos i lëpini buzët më kot, se... nga e thëna në të bërë kalon në mes një oqean i tërë, u them unë, me qëllim t'i shargoj pak e t'i mbaj larg, se kush i ngop me lëngje këta të babëzitur shqiptarë.
- Hajt, hajt se nuk e hanë fjalën, as Ndueja e as Grigori. I dinë mirë zakonet shqiptare, edhe pse kanë mot që rrinë në dhera të tjera. Shqiptari që është vërtetë shqiptar, kur jep fjalën e mban.
Kështu thonë dhe, më e keqja, kështu besojnë.

Gjithsesi, edhe pa më ngarkuar kush, unë e kam marrë me qejfj këtë detyrën shefit të shtypit të Klubit të Gazetarëve. Se si po më duket vetja: u bëra një herë i rëndësishëm. Qoftë edhe për disa ditë.

Mirë ardhshi zonja e zotërinj gazetarë në Tubim-Takimin historik!

Kur të vini këmbë në Atë-Mëmëdheun tuaj të dashur, po ia fusim andej nga Dajti, ishalla funksionon edhe teleferiku, zëmë një hotel aty dhe rrimë derisa t'i sosim uzot dhe verërat e Greqisë e të Italisë, kadaifët e Turqisë dhe çimçakizët e Amerikës, pastaj e lajmë gurmazin me ca raki Lundre dhe, si t'i kemi tharë të gjitha shishet, dhe shkundur xhepat, dalim në mejdan, bëjmë një parakalim triumfal në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Me këtë rast, gazetat dhe TV-të dukjen tonë do ta komentojnë sipas oreksit: ca si manifestim kundër maxhorancës, ca si karshillëk ndaj minorancës.

Mirë ardhshi, pra.

dilaver baxhaku

15.4.09

Metamorfoza e librarisë ‘Kadare’



Pse u mbyll libraria ‘Kadare’?.. Nganjëherë duhet të kujtohemi të ‘shfletojmë’ ato që ka thënë populli: ‘fillimi i mirë, gjysma e punës’ mbase e përligj a e përflet edhe hapjen apo mbylljen e ish-librarisë më të famshme në Tiranë. Po t’i vinim një bisht kësaj thënieje të zgjuar të popullit, do të dilte: ‘fillimi i shtrembër, gjysma e dështimit’. Në shkrimin që bëra ato ditë kur u mbyll libraria, përveç keqardhjes, mendoj se do të jetë ndjerë aty njëfarë qortimi për lehtësinë apo pakujdesin me të cilën ishte lejuar të përdorej emri i shkrimtarit të madh në ballë të asaj kafe-librarie; lehtësi e pakujdes jo nga ortakët e biznesit, se ata nuk e kanë këtë ndjesi, por... diçka si mesazhi që jep edhe titulli i filmit të kahershëm: ‘Duaje emrin tënd’.
Mendoj se emri i shkrimtarit, edhe pse nuk u bë kujdes të shmangej që në fillim nga lidhja me një biznes të paqartë, së paku duhej ruajtur e shpëtuar nga dështimi, nuk duhej lënë të lakohej e të përflitej në pazaret e në llafnajën e falimentimit të një kafeneje. Për shembull, të veçohej libraria nga kafeneja e të riorganizohej më vete si librari apo si qendër kulturore. Pasi, si e tillë, nuk besoj se do të falimentonte kollaj. Ka shembuj: libraria ‘Agolli’, e vogël dhe pa shumë salltanete, jeton dhe gëzon shëndet aty në rrugën e Postës. Po as shteti, lexo: ministria e kulturës, e as ndonjë grup biznesmenësh të pasionuar për gjërat e mira kombëtare që kemi, nuk u tundën vendit, kur erdhi falimentimi i kësaj kafe-librarie. Siç bëjnë ndonjëherë – dhe bëjnë mirë – për mbështetjen e sportit, a për restaurimin e Urës së Tabakëve.

Metamorfoza

Këto ditë, ish-libraria më e famshme e kryeqytetit, më saktë: mjedisi ku ishte hapur kjo librari, ka një gjallëri të veçantë. Mos u ngazëlleni para kohe: nuk ka ndodhur ndonjë mrekulli, fjala vjen të jetë rihapur libraria. Jo, në mjediset e saj, disa biznesmenë të tjerë kanë sistemuar një kompleks Loto-Sport. Ky lloj biznesi është nga më të rinjtë në Shqipëri (ka lindur këto tri vitet e fundit), por ka një lulëzim të dukshëm. Njerëzit turren aty për të fituar para. Gati-gati si te piramidat e hershme. (Si për ironi, tamam në këtë mjedis ka qenë dikur selia e piramidës Vefa, që u bombua më ’97). Turren sidomos të rinjtë. Të dëshpëruar, se nuk gjejnë dot një punë, se nuk gjejnë dot një vizë për të emigruar (për t’ia mbathur) jashtë, me xhepa të mjerë, turren aty për të parashikuar fatet e sporteve të botës. Nuk mund të lë pa thënë, se shumë prej tyre shkojnë aty të yshtur e të mikluar nga sekserët e shumtë, që shiten si të ‘mirinformuar’ për bastet dhe ndeshjet e shitura në mbarë botën dhe që i sigurojnë klientët për fitore të sigurta të njërës apo tjetrës skuadër. A shiten vërtetë ndeshjet, apo mashtrojnë sekserët për të ndjellë sa më shumë klientë, nuk e di, por di se këtë lloj biznesi e ndesh sot kudo në Tiranë e në të gjitha qytetet e vendit: një vrimë dyqani, një tabelë ku shkruhet loto-sport, euro-loto apo mondial-loto, një kompjuter dhe shumë njerëz që hedhin aty paratë. Lere se ç’vete!
Një biznes i tillë i suksesshëm është hapur ditët e fundit edhe në mjediset e ish-librarisë së shumëpërfolur. Loto-sport (për skuadra që nuk i njohin), Gara me kuaj (edhe pse gara hipizmi nuk bëhen në Shqipëri), e gjithfarë veprimtarish sportive ndërkombëtare, që të këndellin të fitosh para. Më saktë... të hedhësh para. Dhe, si për lezet, fare ngjitur, në njërën pjesë të kafe-librarisë së dikurshme, është hapur një agjenci këmbimi valute. Pra: fito lekë në loto dhe këmbeji me euro a me dollarë në agjencinë ngjitur, ose merr ca euro a dollarë nga vëllai emigrant, këmbeji në agjenci dhe shko e lëri në rrotën e loto-sportit. Pa u lodhur fare të shkosh andej-këndej.
Me kohë, në njërin nga të katër cepat e kryqëzimit të rrugës së Dibrës me atë të Barrikadave, lulëzon një Bar i përshtatur për të rinjtë e mërzitur. Ndërsa në anën tjetër, tetë metro më tutje, në katin e përdhes të vilës së bukur Petrela, është hapur tashti vonë një tjetër biznes i kohës: një Casinò, nga vitrinat e së cilës, vajza të bukura gjysmëlakuriqe të hedhin në surrat letrat e fatit.
Duket se, më në fund, me sistemimin e kompleksit të ri të loto-sporteve në mjediset e kafe-librarisë së pafat, sheshi aq i njohur i kryeqytetit, ka gjetur ustallarët e vërtetë të biznesit.

dilaver baxhaku
Shumë urime për ty, Klubi ynë!
Klubit të Gazetarëve, që bëhet 5 vjeç

... Nuk e di sa u bënë, tri a katër vite, kur i shkrova Farukut nga Italia në Canada e i kërkova të më futej mik për në listën e gazetarëve. Kisha mësuar, ashtu rastësisht, se kishte një listë a grup të tillë dhe, se si m'u kujtua që dikur kisha qenë edhe unë gazeta-shkrues. Pse të mos e provoj edhe në këtë gazetë, dmth në këtë listë që paska një emër me gazetë, thashë. Ku i dihet, mbase paguajnë honorare të mira dhe nxjerrim ndonjë dollar a ndonjë euro për një birrë. De, nuk jemi më studentë të Gazetarisë, që trokisnim në dyert e redaksive për t'u ofruar perlat tona, por sikur ia themi ndopak edhe sot: zakoni (apo zanati) del me shpirtin, thonë. Faruku po, s'e bëri të gjatë, iu lut Albanës, mbase i ofroi edhe ndonjë kafe, si shumë i sjellshëm që është, dhe më në fund mora lajmin e mirë nga shefja, se më ishte miratuar dëshira për në klub. Tesera nuk kishte, po ç'më duhej, kur unë në Milano e klubi në Nju Jork?! Se mos do të shkoja ndonjëherë ashtu dal vivo; vetëm virtualmente do të pija ndonjë kafe a ndonjë wisky.
Tashti, ashtu është, siç thotë miku im i dashur, Ndue Lazri: sikur e shkelim ndonjëherë, dhe kjo dreq 'shkelje' nuk paska moshë: sa kërkon të ruhesh se mos thua ndonjë mufkë, fap të del nga goja, nga tastiera duhet thënë. Unë, siç e di këtë të metë të Dilos, kam bërë një zakon: më parë se t'i nis mesazhet, i fus në dhomën e bocave, në ruajtje, i mbaj aty ca orë a ca ditë, sa të më piqet mendimi se nuk e kam shkelur, pastaj i nxjerr e i postoj. Por, sa i postoj, bëhem pishman, prapë e shkela them me vete, dhe shpejtoj t'i shkruaj Albanës në privat që ta bllokojë ms, se... se e kam shkelur. Mirë që ndonjëherë shefja e mban 'valixhen' e luftës me vete dhe ma plotëson kërkesën, por shpesh mesazhet me të shkelur dalin në listë pa mundur që Albana t'i bllokojë. Unë kafshoj gjuhën, dmth kafshoj gishtat, dhe jap fjalën (vetë me vete) se nuk do ta shkel më. Dhe, që ta mbaj fjalën, rri një muaj pa shkruar...
Rri mënjanë dhe pres Vaidin, Rolandin, Grigorin, Farukun, Novruzin, Pilon e Nduen, të nisin ndonjë chat me batuta e me qyfyre, që të më dalë mërzia e heshtjes, e vetëngujimit. Pres të thyhet ndonjë poçe vere a ndonjë shishe uzoje, e të rrjedhë faqes së monitorit, që të marr një gotë e ta kthej me lezet e hare, duke e trokitur online me miqtë, sipas modës së re të kënaqësive. Dhe kështu, si në adoleshencën e hershme, qesh e mrekullohem, nuk ndjehem vetëm, po me miq e me shokë (të të dyja gjinive).

Shumë urime për ty, Klubi ynë!
dilaver

13.2.09




Paraqitje poetike: Plloshtani

nga dilaver baxhaku



Bujar Plloshtani, poet shqiptar nga Tetova e Maqedonisë. U njohëm verën e shkuar, kur, së bashku me disa miq poetë e gazetarë nga Vendi e nga Diaspora, kaluam ca ditë veprimtarish në Shkup e në Tetovë. Lirik. Ëndërrues. Shpirtin falë poezisë. I qeshur, i hapur, me dorën e shtrirë të miqësisë, të mirëkuptimit. Dy sy të qashtër, zë melodik, gazmor. Mik me shumë poetë lirikë shqiptarë të kudondodhur. Në shoqërinë me të, më vinte keq që s'isha poet. Kur do të ndaheshim, nuk gjente çfarë të më jepte si kujtim. Libri yt, i thashë unë. I ndritën sytë dhe shkroi ca fjalë në faqen e bardhë pas ballinës me titullin ‘Nga regjia e shpirtit’ (Në foto). Këto ditë më çoi, si papritur, një poezi, atë me titull ‘Oksigjen shkurti’. Si duket donte ta ndante me dikë vetminë e muajit më të shkurtër e më të trishtë të vitit. Eh, këta poetët! ‘Më ço edhe disa të tjera, e nxita unë, do t’i hedh në linjë’. Pastaj i kërkova edhe diçka nga CV-ja e tij poetike:






Në vitin 2002 nisi studimet për Drejtësi në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, ndërkohë është tërësisht i tërhequr pas poezisë dhe filozofisë.
Nëntor-Dhjetor 2005 publikon librin e parë me poezi: "Heshtja e poetit".
Në Dhjetor 2005, si anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve Shqiptarë të Maqedonisë, viziton Goethe Haus & Goethe Museum & Ekspozitën Friedrich Schiller në Frankfurt/Main.
Më 23 Shtator 2006 merr pjesë në manifestimin letrar "Portiku poetik" të Dibrës.
Më 27 Nëntor 2006 reciton në një Orë letrare poezinë "Perëndimi i shpirtit" kushtuar ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 22 e 23 Qershor 2007, në bashkëpunim me Bashkinë e Rrethit të Sarandës, organizon dhe drejton edicionin e parë të manifestimit letrar mbarëkombëtar "Saranda- muza e poezisë" në Sarandë.
Në Tetor 2007 themelon Shoqatën e artistëve "Pushkin" dhe zgjidhet kryetar i saj.
Më 10 Nëntor 2007 merr pjesë në Netët poetike "Takime nën Rrap", të organizuar në Shkup. I jepet çmimi "Për vepër erotike" botuar brenda dy takimeve.
Në Nëntor të po atij viti i publikohet libri poetik "Nga regjia e shpirtit".
Po në Nëntor 2007, Shoqata e artistëve "Pushkin" organizon dhe drejton edicionin e parë të manifestimit letrar "Poezia, art i fjalës".
2008: Boton librin me poezi të zgjedhura nga autorë të botës: "Perla e poezisë botërore".

Bujar Plloshtani

Oksigjen shkurti

Oksigjen shkurti,
tejngop mushkëritë.

Rëndon mbi figura njerëzish të krisur,
vret si shpirtra të zinj.

Jo, nuk bën dhe aq ftohtë dimri,
por gjetkë në nën
lëkurë dëgjohen kambana mërzitjesh.

Oksigjen shkurti,
përmbi nesh.

Imazh shpirtëror...

Seç më ngjajnë brenda meje shpirtra hyjnorë,
Me fund dëlirësie shoh tek më maskojnë.
Më duken se fjolla imazhesh bien në mua,
e, fundin e shpirtit ma japin si një lirikë hënore.

Gjysmerrësira më mbulon, jashtë
shiu më lag, bën ftohtë vjeshte,
ndjenjën time e shoh të vizatuar brenda fytyrës së Hënës.

A mund të jem shndërruar mbi vullnetin e shpirtit hyjnor?
Jam përtej qiejve, atje ku s'duket asgjë!

Jam përtej...

Arkitektura e shpirtit - mbinjeri

Plloshtanit

I
Stuhi e furishme, o erë e vjeshtës së vonshme,
Ti, me vizatimin tënd në natyrë si hije
Vallëzon në sytë e mprehtë të një mbinjeriu.
Me gjethet e vjeshtës, imagjinata në përjetim të ndjenjave
Ku vetë mbretëria e mendimeve është mendja e ndritur.

Të gështenjta dhe të purpurta janë ndjenjat,
Në vetmi të përqendruara për balancë poetike
Nuk sfidohet dot kjo ndjenjë dhe ky përjetim,
Siç është, si një tërmet i vazhdueshëm bajronian a shelleynian.

Fijet e saj, që vdesin dy herë me vështirësi, dhe rropatje
Duhen dy engjëj të fortë dhe të mëdhenj
Për t’ia shkulur shpirtin krejt,
Se ndryshe, ky shpirt nuk vdes kollaj.

Shpirt i madh, që shëtit ngado,
Përdalur dhe virgjëreshë: mbisundo si tiran i inteligjencës
Dhe në fund, kur të të vijë vdekja: vdis si burrë!
Ti shpirt që end pëlhurën tënde prej kristali,
Si ajo ngjyrë e akullt e borës, me pak ndryshim si
Kubeja e shpirtit, që merr formën e një arkitekture e stilit barok
Dhe kjo arkitekturë e shpirtit me emrin - mbinjeri.

Prej zërit tënd nuk ndien frikë askush,
Sepse nuk je sundimtar i brezave,
Por një hero për pasardhësit
Që i zgjon herë pas here nga letargjia e katër stinëve.


II

Sa mundim dhe melankoli të rreptë dergje
Oh, sa gjethe vjeshte të pushtuan mizorisht,
Por ti kapërceve çdo akull dhe çdo brymë
Sa u gjakose! Sa nuk të pa askush të kulluar në gjak.

Ti, shpirt blu në të bardhë,
Mos ndiej ftohje në nerv,
Por jepu fuqi mendimeve
Të pajeta drejt kësaj hapësire të ftohtë,
Më ndihmën e këngës së këtyre rreshtave.

Pianoforte klasike, luaj sonatën më të bukur,
Dhe sille përsëri erën e vjeshtës në mesin tonë
Me atë arkitekturën e shpirtit – mbinjeri.
16 dhjetor 2006

Poeti vizaton ndjenjën me artin hyjnor

Përse nuk më ndihmon, vallë!?
Ti do më pyesje: çfarë të të ndihmoja!?
Besoje se kam nevojë për ndihmën tënde;
Të lutem më ndihmo të ëndërroj,
Të ndiej, të dashuroj me thellësi.

Këtë ndihmë mund të ma japësh vetëm ti
Mos u çorodit kur të them kështu,
Që gjithë këtë hapësirë shterpe
Nga shpirti ta përjashtoj.

Nëse ti më ndihmon ta pushtoj gjithë
panoramën e liqenit dhe të qiellit,
Gjithçka të bukur blu të mbledh në sytë e mi,
E pastaj nën to me anije poetësh ngjyrë shpirti;
Të pluskoj me qetësinë që kam njohur te ti
E të lundroj me lumturinë tënde si mjellmë e mençur.

Liqeni le të vallëzojë me anijen e të gjej
Prehje për një çast,
Dhe qielli kur të hapë sytë e kaltër le të shikojë
Ndjenjën që është vizatuar me hyjnoren art.
Prej teje nuk kërkoj asgjë, vetëm një ndihmë.

Të lutem më ndihmo të bëhem,
Një shpirt që ecën paralel me ty.
Më ndihmo të bëhem engjëll i shpirtit tënd
Të varros drita vetmie dhe,
Gjithçka që e mbyt njeriun në brendi...


Çast


Të shoh se si tymin e cigares nxjerr bukur,
E si të jep imazh të mjegulluar me ngjyrë hiri,
Pastaj me atë lëvizjen e hollshme të vetullave,
Jep një aromë të ngrohtë në fijet e shpirtit.

E, çfarë mund ta quash këtë krijesë?
Vetëm si një engjëllushe që merr frymë,
E që end një pëlhurë kaq të mundimshme me
Ngjyrë trëndafili blu...
Pamje që të emocionon shpirtin
Dhe që të ushqen me sheqerka...
O ëmbëlsi e pafundme, ti na bën të të ndjejmë
Panoramën e shpirtit me fundin e shpirtit.

Ti vërtet ke një forcë shpirtërore,
Mëkat që i largohesh kësaj force.
Afrohu vuajtjes për ta gjetur muzën.

Më duket se kur qesh të shoh nëpër vargje,
Pastaj kur më jep diçka të brendshme,
mua më duket sikur eci
Në trotuarin e shpirtit dhe ndjenjave të tua.
Je magjike më shumë se një yll në Parajsë,
Ti e vdes njeriun me këtë që ke sonte!

shkurt, 2009

10.2.09

6.2.09



Poezi

Mimoza Hametaj

PS - marrë
nga cikli i botuar në listën e gazetarëve

KUJDES, I DASHUR MIK

T'i kuptosh ata në çast nuk ësht' e lehtë,
Të afrohen herë "bujarë" e herë "fisnikë",
Të kërkojnë në dorë të tyre marionetë,
Me një fjalë, me një lajkë, hipokritët!

Kij kujdes dhe ti me ta, i dashur mik!
Herë të ble e herë të shet, kjo fjal' e tyre.
Kij kujdes, nga grack' e fjalëve, iu ik!
Mos të ndihesh nesër keq dhe i zhgënjyer!



Njëra nga "libraritë" e kryeqytetit






Libri përtokë







Kush ka ardhur në Tiranë, e ka parë: ndodhet nën hijen e nëntëkatësheve, aty pranë kafe "Europa". Librashitësi e hap "librarinë" e tij çdo ditë aty nga ora 10-11, në verë edhe më shpejt; i nxjerr me radhë fjalorët e romanet, studimet e përmbledhjet poetike dhe i vendos aty në trotuar, mbi pllakat prej çimentoje, si t'i vijë. Ndërsa blerësit përkulen kokëposhtë për të gjetur ndonjë titull që u duhet. Bëjnë kujdes të mos i shkelin me këmbë, se u dhimbsen. Mban edhe libra të përdorur dhe njerëzit janë mësuar të kërkojnë aty botime të shkuara. Kjo është vetëm njëra nga këto "librari" në kryeqytet; dy a tri të tjera ndodhen dhjetë hapa më tutje, në çdo qoshe ku kalojnë njerëz. Ky është vend i privilegjuar; kushedi sa qira paguan i zoti i dyqanit. Por jo, nuk besoj se paguan qira, pasi dyqani i tij nuk është prej vërteti: seç ka sajuar një qerre, që e merr dhe e bie aty çdo ditë. Gjithsesi, është me fat ky librari i nëntëkatësheve; edhe librat e tij janë të privilegjuar, sepse, kur nis shiu, ai i mbledh shpejt e shpejt dhe i fut në qerre, në dyqanin e tij shëtitës. I ruan të mos lagen. Pret sa të pushojë shiu dhe i nxjerr prapë. Ndodh që, ndërsa bie shi, afrohet ndonjëri dhe e pyet: a e ke filan libër? Ai mendohet një çikë dhe i thotë: e kam, por tashti nuk ta gjej dot, kushedi ku e kam fut, hajde kur të pushojë shiu. Kështu çdo ditë. Kur Bashkia po rregullonte trotuaret, ai rrinte aty, pa punuar, vetëm të mos humbte vendin. Priste me ditë e me orë të shtroheshin pllakat, që të nxirrte librat e tij. Ishte edhe sot, dhe mua m'u dha të bëj nja dy foto. I keni të lidhura në këtë postim.











fotot: dilaver baxhaku
Një autograf i veçantë

(Dy libra të rinj: Monda Moisiu dhe Mëhill Velaj)

Këto ditë pata një libër me një përkushtim të veçantë: ishte vëllimi i ri me poezi i poetit Mëhill Velaj, të cilin ma dhuroi... Monda Moisiu. Mos mendoni se ka ndonjë ngatërresë, as tjetërsim të të drejtave të autorit. Ja se si ndodhi. Ndërsa po rrinim në kafenë mitike aty pas ish-kinemasë ‘Partizani’, ku Monda, të paktën një herë në vit, paraqit një libër të ri, ashtu pa kamera e pa gazetarë, siç bëri edhe sot një vit; pra ndërsa po pinim kafenë e librit të saj të ri ‘Pafajësia e Evës’ dhe ajo në faqen e brendshme të kopjes që do më dhuronte mua po shkruante: ‘Me respekt e dashuri, mikut tim, Dilaverit’, mbi syprinën e tavolinës pashë një tjetër libër. I hodha sytë ballinës: Mëhill Velaj dhe ‘Lule që rritemi në gur’. Monda nuk më la ta pyes. ‘Ky është libri i ri i Mëhillit,- tha.- Jam e autorizuar nga autori t’ua dhuroj librin e tij miqve tanë’ dhe mori e shkroi mbi faqen e parë të bardhë: ‘Dilaverit, me mirënjohje, Mëhill Velaj’. Mbeta i mrekulluar. Gjë e bukur, pëshpërita. Dhe i mora librat në duar; të dy të rinj, si dy krijesa që sa kanë nisur ecjen. Ecjen e paslindjes. Sepse duket se librat u ngjakan vërtetë krijesave njerëzore: ngjizen e rriten më parë në barkun e nënës a në mendjen e autorit, rriten e kalojnë aty nëntë muaj a nëntë vite, pastaj bëjnë lindjen ‘zyrtare’, dalin në jetë dhe nisin të numërojnë hapat mbi tapete a në duart e lexuesve. E shfletova librin e ri të poetit Velaj, dhe u ndala te poezia e dytë: ‘Dinjiteti’. Lexova:


Në këtë botën tonë të gjorë
Që ngre, poshtëron njerëzinë,
Jep forcë, rini, kohë, jetë,
Një gjë mos jep – krenarinë.
. . . . . . . . .

Do ta lexoj këtë libër, thashë me vete, dhe vijuam bisedat e tavolinës. Është me ne Kozeta Zavalani, së cilës i thashë sa zili e kam që ka qenë në shtëpinë e Tuenit; ndërsa ajo ma nxit edhe më shumë smirën, kur më thotë se ka qenë edhe në shtëpinë e Xhek Londonit... Është i pamungueshmi Riza Lahi, mik i mirë i Mondës, që duket se do ia gjejë fundin bejteve. Është edhe botuesi i librave të rinj, Spiro Dede. Dhe flasim për krijimet e shoqeve e të shokëve të shpërndarë nëpër kontinente.
Pastaj miqtë e mi, Monda, Kozeta dhe Rizai, marrin një taksi për të mbërritur të tjerë miq, me krijesat e sapolindura në duar, që t’u japin sihariqin. Unë kthehem në shtëpi, vihem para kompjuterit tim, dhe shfletoj ‘Pafajësia e Evës’. Pjesa e parë:

Eva ishte ulur në njërën nga sedilet e mesit të autobusit të linjës Pogradec-Vlorë. Ishte vetëm. Agroni i kishte ofruar kujdesin e tij prej vëllai, që ta shoqëronte, por Evës i pëlqente vetmia, sidomos në momente të veçanta. Vetmia ishte një ‘mike’ e ngushtë për të...

Pastaj i fus librat e rinj në bibliotekën time virtuale, ua skanoj ballinat.

Dy libra të rinj të dy miqve tanë, që nuk i kalojnë të 120 faqet, me ballina të thjeshta, por të hijshme, njëri roman dhe tjetri me poezi. A është romani i parë i Mondës? Guximi i parë në prozën e gjatë? Suksese. Suksese të dy krijuesve tanë, miqve tanë! Mondën e falënderova direkt, ndërsa Mëhill Velajn e falënderoj me anë të këtij shkrimi për librin e tij në bibliotekën time. Me autografin e Mondës. Bukur, apo jo.

dilaver baxhaku

31.1.09


Ndue Lazri

LIRIA

-Mikut tim Vaid Hyzoti-

Për lirinë
ishim gati të jepnim edhe jetën.

Por kur e fituam,
të dehur prej saj,
ashtu si kumarxhiu
që shumën marramendëse
e hedh prapë në lojë,
ne ia falëm lirinë
emigracionit.

Endrra e përkundur
u bë surrogat i vetvetes.

Flatrat ia prenë
për t'i arkivuar
në fashikujt burokratike
te lejeqëndrimit.

I lanë vetëm krahët e zhveshur,
të domosdoshëm për punë.

Ti më shkruan
se lirinë ta gjymtuan dyfish
pikërisht nën këmbët
e Statujës së Lirisë.

Në darkë gruaja,
bashkë me bukën
shtron në tavolinë
idhtësine e lirisë së cunguar.
Fëmijët e marrin pikë-pikë
si ilaç për t'u burrëruar para kohe.

Pas buke,
në vend të ëmbëlsirës,
poezitë e tua.

Dëshmi autentike
që bilbilin s'e shndërrojnë dot
në një shpend kafazi.

Janar, 2009